Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku në një lidhje live për “Sot, Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu, foli për seancën e sotme parlamentare ku u rrëzua kërkesa e SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Tabaku tha se mazhoranca nuk arriti të ngrihej në lartësinë e standardeve të demokracisë e aq më tepër në ato evropiane. Ndër të tjera ajo tha se seanca e sotme ishte një test për Shqipërinë dhe integrimin drejt Bashkimit Evropian.
“Sot ishte një ditë e trishtë për parlamentin sepse parlamenti duhet të ishte sjellë ndryshe, i referohem mazhorancës. Duhet të kishte treguar një standard të munguar demokracie dhe evropian. Kjo është zyrtarja e parë në detyrë që kërkohej heqja e imunitetit. Parlamenti humbi një mundësi për të përmbushur minimumin e standardeve demokratike. Ky ishte test për Shqipërinë dhe integrimin”, tha Tabaku.
Tabaku gjithashtu komentoi dhe reagimin e kryeministrit Edi Rama drejtuar Ambasadës Britanike dhe asaj Gjermane në Shqipëri, duke thënë se nuk është normale që Rama të sulmojë këdo që mendon ndryshe nga ai. Deputetja tha se SPAK ka faktuar korrupsionin që ka kryer Balluku dhe se parlamenti duhet të kishte dhënë sot mesazhin që imuniteti është përgjegjësi.
“Unë nuk e di që SPAK të yshtet nga faktorë të tjerë të jashtëm. Jemi në një vend ku SPAK ka faktuar nëpërmjet një dosje 16 mijë faqe korrupsionin. Sot parlamenti duhet të kishte dhënë një mesazh, që imuniteti nuk është privilegj, por përgjegjësi. Un nuk di që një nga ne të jetë bërë zëdhënës, ai është i ndërkombëtareve nga mëngjesi deri në darkë. Sulmi është mbrojtja më e mirë thonë qytetarët. Është e pakonceptueshme që një kryeministër të sulmojë këdo që mendon ndryshe nga ia n një moment të caktuar.
Përsa i përket protestës paqësore, deputetja tha se u mendua që vëmendja sot të ishte te raporti dhe vota në Kuvend. Tabaku tha se kryeministri i tregoi sot SPAK kufirin duke vetëpërcaktuar se kush shkon ose jo përpara drejtësisë.
“Nuk ka lidhje me asnjë reagim, por donim që vëmendja të ishte të raporti dhe vota. Ajo që po ndodh për mua është një cenim jo vetëm i reputacionit të SPAK, por dhe i investimit që ka bërë faktoi ndërkombëtar në Shqipëri, në reformën në drejtësi. Sot qeveria i ka treguar kufirin drejtësisë, kush shkon dhe kush nuk shkon përpara drejtësisë. Protestat do të vazhdojnë të zhvillohen të koordinuara me punën tonë në parlament e komisione. 22 marsi është dhe një ditë e rëndësishme për demokracinë”, tha Tabaku.
Belinda Balluku ruan mandatin e deputetes. Me 82 vota kundër dhe 47 pro, SPAK nuk mori autorizimin për arrestimin e saj.
Komente











