TIRANE- Shtëpia, që shihni në foto, është ndërtesa në të cilën strehohej grupi kriminal i shqiptarëve, që përbëhet nga 7 persona, tre prej të cilëve tashmë kanë rënë në pranga. Bëhet fjalë për strehën në të cilën u kap Arbër Bako bashkë me kushëririn e parë të tij, një 23-vjeçar, që për policinë greke mendohet se është djali i tezes së Arbërit.

Edhe ai posedon një mori dokumentesh identitetesh, por grekët e hetimit deri më tani, janë të bindur që emri i tij është Ilir Sh. Bashkë me Bakon dhe të riun, policia greke mësohet se ka vënë në pranga edhe një person tjetër, identitetin e të cilit e ka mbajtur të fshehur përgjatë gjithë këtyre ditëve, ndërkohë që gjatë hetimeve intensive, hetuesit kanë zbuluar se, në fakt, nuk bëhet fjalë për një grup kriminal, por për një organizatë të frikshme, e cila funksionin prej të paktën 10 vitesh në Greqi.

shtepia, athine

Policia ka shpallur në kërkim një person, i cili tashmë konsiderohet si një vrasës gjakftohtë, i cili dyshohet se ka vrarë edhe shqiptarë në Greqi. Sipas policisë greke, ai quhet Klodian L., një djalë i adaptuar i një çifti që kanë jetuar në Berat. Sipas të dhënave, ai është 37 vjeç, dhe në skedat e hetimit vendas, ai konsiderohet si një killer me pagesë, gjobëvënës, grabitës me armë dhe dhunë, një person që ka drejtuar grupin e shqiptarëve, ku sipas hetimeve greke, kanë qenë edhe ushtarët e një emri mjaft të njohur të krimit vendas. 

Provat, zbuluan vrasësit
Referuar të dhënave që vijnë nga hetimi grek, mësohet se policia në banesën e shqiptarëve, e cila gjendet në lagjen Gudhi të Athinës, ka gjetur dhe sekuestruar një sërë dokumentesh. Nuk bëhet fjalë vetëm për një mori kartash identiteti dhe pasaportash, që të gjitha thuajse false, por për një mori skicash dhe të dhënash për persona që duhej të ekzekutoheshin. Ekspertët e policisë greke, kanë mundur të identifikojnë edhe njërën prej shënjestrave të radhës, që dyshohet se është një drejtues i lartë i Policisë dhe shuma që do të merrte shqiptari për ekzekutimin e tij ka qenë plot 200 mijë euro.

Policia ka gjetur edhe skicat e veprimeve që duhej të ndërmerreshin, para se të shkohej tek personi, ndërsa sipas të dhënave, janë zbuluar nëpër letrat dhe materialet e gjendura në shtëpi, të paktën edhe tre ekzekutime të tjera. Prokuroria greke, mësohet se mbrëmjen e të enjtes ka lëshuar urdhër ndalimin edhe për tre femra, dy shtetase shqiptare dhe një moldave, femra që dyshohet se janë mikesha të pjestarëve  të kësaj organizate kriminale.

Femrat e ndaluara, pretendohet se kanë dijeni mbi aktivitet kriminale të miqve të tyre, ndërsa policia dhe prokuroria po luftojnë me gjetjen e një personi, dëshmitar, që të vërë gishtin mbi autorin e masakrës së Pireut. Njëkohësisht, po kërkohet edhe arma e krimit, një kallashnikov që ka përdorur Bako mëngjesin e të shtunës, në Pire, armë që dyshohet se autori e ka hedhur në det, në portin e Pireut.   

Arbër Bako mbyll gojën para hetuesve, mbahet në qeli
Kush ishte shqiptari nëpër burgjet greke dhe si e fitoi lirinë

Mediet greke, ditën e djeshme, i kanë kushtuar rëndësi jetës së bërë nëpër burgjet greke të të akuzuarit për sulmin e së shtunës në Pire. Arbër Bako mësohet se nuk ka pranuar të flasë fare për hetuesit vendas dhe madje as t’iu thotë gjeneralitetet për veten. Gjykata ka vendosur ta mbajë në paraburgim, deri në përfundim të hetimeve, ndërsa sipas medieve vendase, bëhet me dije se Arbër Bako, kishte vetëm pak muaj që jetonte në liri në Greqi dhe pas masakrës që kreu në Pire, duket se do të kalojnë shumë vite për të qenë sërish jashtë burgjeve. 31-vjeçari është liruar nga burgu i Melandrinos më 5 gusht 2014-ës.

Ai ishte dënuar nga gjykata e Siros me 7 vjet e 6 muaj burg për një seri vjedhjesh dhe plaçkitje shtëpish në ishullin e Mitilinit, të kryera në vitin 2008. Në fakt ky ka qenë vendimi përfundimtar i apelit, sepse në shkallën e parë gjykata kishte dhënë vendim më të rëndë, gjë që kishte sjellë shpërthimin e shqiptarit ndaj gjykatësve: “Unë nuk kam vrarë njeri që të më dënoni kështu”. Periudha e burgosjes nuk ka kaluar e qetë për Arbër Bakon, i cili ka qenë gjithmonë problematik, për administratën.

Sipas gazettes greke “To Vima” punonjësit e burgjeve helene e kanë etiketuar 31 vjeçarin si: “shumë problematik, që kryente shumë shkelje disiplinore, kërkonte të merrte rol ‘komandues’ dhe ishte bërë pjesëtar i një bande shqiptarësh, që brenda burgjeve kishte një konflikt të ashpër me një bandë tjetër të huajsh. Po kështu, shkaktonte shumë sherre, për shumë arsye, deri edhe për ndeshje futbolli. Bako refuzonte të punonte në burg”. Për këto arsye ai është transferuar shpesh nga administrate greke e burgjeve sa nga një skaj i Greqisë në tjetrin. Në fillim ka qenë në burgun në Veri të Greqisë, në Dhomokos, më pas ka kaluar në ishullin e Kretës, në Hania, dhe në fund në atë të Melandrinos. Është liruar para se t’i mbaronte dënimi, pasi është bërë një amnisti dhe i kishte shlyer 4/5 e dënimit


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)