Një zjarr ka përfshirë mesditën e sotme një banesë në fshatin Tapi, në bashkinë e Kuçovës. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të komshinjve është shpëtuar 90-vjeçarja Sherina Hatija, e cila jetonte e vetme në banesë.

Sipas të dhënave paraprake, zjarri dyshohet të ketë nisur si pasojë e një shkëndije elektrike në një prej prizave të shtëpisë. Fillimisht flakët janë shfaqur në dhomën e ndenjës dhe më pas janë përhapur me shpejtësi në të gjithë banesën.

Komshinjtë kanë ndërhyrë menjëherë, duke nxjerrë të moshuarën jashtë banesës, ndërsa më pas ajo është transportuar me ambulancë në Spitalin e Kuçovës për një kontroll rutinë. Fatmirësisht, 90-vjeçarja është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka pësuar djegie.

Një fqinj i 90-vjeçares tregoi për momentin e zjarrit.

“Plaka po ishte andej po rrinte ulur, do digjej dhe ajo. Vajtëm dhe e nxorrëm nga banesa. Ishte nusja e Agronit matanë dhe po fikte flakët me zorrë” tha ai

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Shërbimit Zjarrfikës të Kuçovës, të cilave iu bashkuan edhe efektivët e zjarrfikëses së Dimalit. Pas një ndërhyrjeje të shpejtë, flakët u lokalizuan dhe u shuan, duke parandaluar përhapjen e tyre, megjithëse banesa ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shkaku paraprak i zjarrit dyshohet të jetë një defekt në instalimin elektrik.