A vlerësoni se Akti Normativ i Këshillit të Ministrave për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm është në përputhje me detyrimet e shtetit shqiptar sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut?
Mendoj se Akti Normativ u ka dhënë një zgjidhje të qartë pronarëve të banesave nga njëra anë, por këtë sigurisht e ka realizuar duke rënduar ndjeshëm pozitat e qiramarrësve.
Pse mendoni që Akti rëndon ndjeshëm pozitat e qiramarrësve?
Mendoj kështu, sepse Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në një numër çështjesh ka theksuar që shtetet palë në Konventë janë në pozita më të përshtatshme se sa vetë Gjykata, që të përzgjedhin politikat e nevojshme për strehimin e qytetarëve të vet, duke nënkuptuar sigurisht që kjo liri nuk mund të abuzohet nga autoritetet, por duhet të kufizohet në detyrimin për të zbatuar vetëm të atilla politika strehimi që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike. Pra, liria e shteteve në këtë pikë ka disa limite, që shtetet kanë detyrimin t’i respektojnë.
Pra, shteti nuk i ka respektuar limitet e veta në rastin konkret duke sjellë si pasojë rëndimin e pozitave të qiramarrësve? Cilat limite nuk ka respektuar shteti konkretisht?
Si fillim, qytetarët duhet të kuptojnë se çdo ligj, përveçse rregullon një marrëdhënie shoqërore, materializon edhe një premtim politik. Në vitin 1995, me ligjin nr. 8.030, shteti u premtoi qiramarrësve në banesat private të pronarëve se ata do të lejoheshin të përfitonin banesë sipas kushteve ligjore për privatizimin e banesave shtetërore të vitit 1992.
Shteti iu përmbajt këtij detyrimi deri në vitin 2004, kohë kur, me miratimin e nenit 9 të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, pa sjellë asnjë arsye para këtij grupi qytetarësh, ai shpalli një politikë kryekëput të ndryshme nga ajo, e ndjekur për 10 vjet radhazi. Sigurisht, Gjykata Kushtetuese shkurajoi dy herë këtë nismë të shtetit për t’u bërë bisht premtimeve të veta ligjore, megjithatë, nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese nuk tregoi kurajë të mjaftueshme për të interpretuar efektet e veprimeve të saj tek ligji nr. 8.030, duke u kufizuar, në këtë pikë, të shpallte, në mënyrë kontradiktore me konkluzionet e veta për problemin në fjalë, se kishte boshllëk ligjor lidhur me statusin e qiramarrësve e duke vulosur, si pasojë, gjendjen e pasigurisë së kësaj shtrese për vitet që do të pasonin.
Ky qëndrim i Gjykatës Kushtetuese u ka çelur rrugën përpjekjeve të njëanshme të autoriteteve për të imponuar me çdo kusht zgjidhjen, e cila, jo vetëm është kundërshtuar fort nga qiramarrësit, por, sikurse e përmenda, dy herë është deklaruar antikushtetuese nga vetë Gjykata Kushtetuese. Akti Normativ po ashtu imponon në thelb të njëjtën zgjidhje.
Por Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të fundit lidhur me këtë çështje, i kushton një hapësirë të gjerë raportit të interesit publik përkundrejt sigurisë juridike. A nuk mjafton kjo për të justifikuar kushtetutshmërinë e Aktit Normativ?
Unë mendoj se kjo qasje e Gjykatës nuk mjafton, pasi interesi publik është një kufizim, i cili ka nevojë të interpretohet gjerësisht kur kufizohet e drejta e pronës. Sigurisht, Akti Normativ u ka kufizuar qiramarrësve, përveç se të drejtën për banesë, edhe të drejtën e pronës, por Gjykata Kushtetuese, në rastin konkret, interesin publik e ka interpretuar, si për të vlerësuar ndikimin e Aktit tek kufizimi i së drejtës së qiramarrësve për pronë, ashtu edhe për të vlerësuar ndikimin e Aktit Normativ tek kufizimi i së drejtës për banesë të qiramarrësve. Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kufizimet e së drejtës për banesë është e gabuar të analizohen në prizmin e interesit publik.
Çfarë mund të kishte bërë Gjykata Kushtetuese ndryshe, nëse mbajmë parasysh garancitë e KEDNJ-së?
Unë mendoj se Gjykata Kushtetuese duhet të kishte vlerësuar (në dritën e jurisprudencës së GJEDNJ) veçmazi barrën që vendos Akti Normativ tek shtresa e qiramarrësve (duke filluar nga kredia deri tek azili) në raport me të drejtën kësaj shtrese për strehim dhe veçmazi të njëjtën barrë në raport me të drejtën e qiramarrësve për pronë. Konkluzionet e këtyre dy analizave padyshim do të kishin pasur impakt të padiskutueshëm në zgjidhjen e problemit të qiramarrësve nga ana e shtetit me efektivitet dhe në mënyrë përfundimtare.
Pra, ju mendoni se Gjykata Kushtetuese nuk e ka zgjidhur përfundimisht dhe në mënyrë efektive çështjen e qiramarrësve?
Unë mendoj se Gjykata Kushtetuese ka qenë një shpresë potenciale për qiramarrësit sa i takon të ardhmes së tyre. Por, në vend që të fokusohej tek pajtueshmëria e Aktit me Kushtetutën, duket se Gjykata është kujdesur për pasojat që mund të sillte deklarimi antikushtetues i Aktit tek realiteti politik në vend.
Nuk gjej dot tjetër shpjegim, se pse, në rastin në fjalë, në prani të një jurisprudence të pasur për nenin 8 të KEDNJ, Gjykata Kushtetuese të ketë zgjedhur të lerë jashtë fokusit të analizës faktin, që autoritetet shtetërore kanë qenë plotësisht të lira në vitin 1995, që, midis një sërë alternativash për zgjidhjen e statusit të banesave private të pronarëve dhe qiramarrësve që banonin në to, të zgjidhnin si më të përshtatshmen alternativën konkrete, atë të kthimit të banesave pronarëve dhe strehimin e qiramarrësve me kushtet e ligjit për privatizimin e banesave shtetërore të vitit ’92!
Pyetja që natyrshëm lind - dhe që duhej analizuar nga Gjykata Kushtetuese - është: A është legjitime që sot, pas 20 vjetësh, kjo zgjedhje e shtetit, e bërë prej tij lirisht, të sjellë pasoja negative në jetët, apo dinjitetin e njërës, apo tjetrës shtresë të shoqërisë? Pra, me pushtetin e vendimeve të saj, Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një rol aktiv në rritjen e përgjegjshmërisë së shtetit për politikat, që ai ndërmerr. Nëse përjashtohet nga çdo lloj përgjegjësie, shteti rrezikon të mbetet pa asnjë eksperiencë në administrimin e përgjegjshëm të çështjeve publike.
A mendoni ju se qiramarrësit janë ankues potencialë për në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasbourg?
Une mendoj se Gjykata e Strasburgut deri më tani, disa herë, në vend të gjykatave të brendshme, ka korrigjuar shkeljet e të drejtave të njeriut në vendin tonë, madje disa herë i ka kritikuar gjykatat e brendshme se kanë dështuar të përmbushin funksionet e tyre në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve.
Deri sa u publikua arsyetimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk isha e sigurt nëse qiramarrësit do të mundeshin apo jo t’i drejtoheshin Gjykatës së Strasburgut, sepse besoja që kjo Gjykatë sidoqoftë do t’i kishte aplikuar siç duhet testet e kontrollit. Por, pasi studiova arsyetimin e bërë prej saj, mendoj që po, nëse problemi parashtrohet siç duhet, padyshim qiramarrësit kanë edhe një shans të fundit në Strasburg.
(b.m/shqiptarja.com)