TIRANE- Rreth 400 banesa sociale në Shkozë do të mund të vihen në shërbim të qytetarëve që rezultojnë të pastrehë, pas miratimit në Këshillin Bashkiak të vendimit që i kalon ato në pronësi të bashkisë. I ftuar në emisionin “Tete a tete” në “A1 Report”, anëtari i këtij këshilli, Viron Bezhani, tha se “ky vendim u miratua njëzëri nga anëtarët, në mënyrë që të vihet sa më shpejt në ndihmë të pastrehëve”.

“Mendoj se bashkia ka politika shumë të mira sa i takon të pastrëhëve, dhe për këtë politikë ka tre mënyra, kreditë e buta, bonus për shtëpitë me qira, si dhe banesat e Shkozës. Ky është një ngërç që nuk e di pse ka ndodhur deri më tani. Ne e miratuam njëzëri, pasi donim që bashkia të kishte banesa për t’i ardhur në ndihmë të pastrehëve”, tha Bezhani.

Sa i takon këshillit bashkiak pas ndryshimit të balancave, Bezhani tha se “kjo nuk përbën ndryshim, pasi detyra e këshilltarëve është shërbimi ndaj qytetarëve, pavarësisht bindjes politike”.
 
“Politikat e majta apo të djathta duhet t’i shërbejnë qytetarëve të Tiranës. Ngërçi i krijuar në këshill nuk ka qenë normal, dhe zgjidhja e tij tashmë do t’i shërbejë qytetarëve”, tha Bezhani.

Ndërkaq, Bezhani tha se “kompensimi i pronarëve duhet të jetë politikë e bashkisë”.

Sipas anëtarit të Këshillit Bashkiak, bashkia e Tiranës nuk po mundëson në kohë një sërë pagesash, përfshirë edhe ato të vetë këtyre anëtarëve. Për këtë, Bezhani tha se “do të kërkohet një interpelancë me drejtorin e buxhetit në Bashkinw e Tiranës”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)