Të dhënat më të fundit të OKB-së tregojnë se ka një rritje prej 70 % të luftëtarëve të huaj terroristë në vendet e konfliktit si Siria, Iraku apo Afrika e Veriut. Shifra alarmante u bë publike nga vetë sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ban Ki Moon gjatë fjalimit të tij në samitin e liderëve të organizuar nga qeveria amerikane mbi betejën kundër ISIS dhe ekstremizmit të dhunshëm që po mbahet në Nju Jork.
 
Sipas Ban Ki Moon, bëhet fjalë për luftëtarë të huaj që vijnë nga 100 vende të ndryshme.
 
“Të dhënat më të fundit tregojnë se ka një rritje prej 70 % të luftëtarëve të huaj nga më shumë se 100 vendeve që marrin pjesë në rajonet e konfliktit. Këto grupe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejt ndaj sigurisë ndërkombëtare dhe është një kërcënim gjithnjë e në rritje. Kjo sfidë është në zemrën e misionit të OKB-së dhe kërkon një përgjigje të unifikuar. Ne dime edhe kush është përbërësi kryesor për të pasur sukses: Qeverisje e mirë, sundim ligji, shoqëri të hapura dhe pluraliste, arsim i mirë dhe vende të mira pune”-tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së.
 
Ndërkaq i pari që hapi samitin ishte vetë presidenti amerikan Barak Obama i cili foli në mënyrë të detajuar për fushatën kundër ISIS duke kujtuar se kjo është nje betejë e gjatë.
 
“Së bashku po ndjekim një strategji gjithëpërfshirëse që ndihmohet nga eksperienca jonë në mposhtjen e talebanëve të Al Kaedës në Afganistan dhe ne po përdorim të gjitha mjetet tona: ushtrinë, inteligjencën, mjetet ekonomike, zhvillimin dhe forcën e komuniteteve tona. por E kam përsëritur disa herë se qasja jonë kërkon kohë. Kjo nuk është një detyrë e lehtë. ISIS po lëshon rrënjë në zona që vuajnë nga qeverisje të dështuara, në disa raste luftëra civile apo konflikte sektariane. dhe si pasojë e vakumit që ekziston në këto zona ISIS ka mundur të shtrihet më tej. Kjo është fushatë afatgjatë, jo vetëm kundër këtij rrjeti por kundër ideologjisë së tij”-tha presidenti amerikan.

Presidenti amerikan përsëriti edhe një herë deklaratën e tij bërë gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku tha se mposhtja e të grupit të Shtetit Islamik në Siri do të jetë e mundur vetëm nëse Bashar Al Assad largohet nga pushteti.

Një ditë më parë Obama u përplas në distancë me homologun e tij rus Vladimir Putin lidhur me krizën në Siri. Moska e shpërfilli samitin e sotëm në Nju Jork duke dërguar një diplomat të nivelit të ulët. Megjithatë Obama dhe Putin kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë për ti dhënë fund luftës 4-vjeçare që ka shkaktuar mbi 240 mijë viktima. Fati i Assad është thelbi i mosmarrëveshjeve mes Washingtonit dhe aleatëve të liderit sirian, Rusisë dhe Iranit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)