Banka Botërore, kredi 85.3 milionë
USD për Ujësjellësin e Durrësit

Banka Botërore, kredi 85.3 milionë<br />USD për Ujësjellësin e Durrësit
 
 
WASHINGTON- Banka Botërore i miraton një kredi prej 85.3 milionë dollarë amerikanë Shqipërisë, për investim në Ujësjellës kanalizimin e Durrësit.
Huaja është miratuar mbrëmë nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore dhe ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve në qytetin bregdetar të Durrësit, si dhe performancën financiare të ndërmarrjes së ujësjellësit të këtij qyteti.
 
“Huaja e IBRD-së prej 85.3 milionë dollarësh amerikanë për Projektin e Investimeve për Sektorin e Ujit në Shqipëri, ka për qëllim të përmirësojë rrjetin ekzistues të ujësjellës-kanalizimeve në rajonin e Durrësit, qyteti i dytë më të madh i vendit dhe njëri prej destinacioneve kryesore turistike të vendit, si dhe porti kryesor i Shqipërisë.”- thuhet në njoftimin për shtyp të Bankës Botërore.
 
Sipas BB projekti do të realizohet nëpërmjet investimeve parësore në rrjetin e ujësjellësit dhe ndërtimit të tubacioneve për transportin e ujit, për të përballuar pamjaftueshmërinë e tij gjatë pikut të sezonit turistik. 
Gjithashtu do të bëhen edhe investime dytësore, që i lidhin fshatrat me sistemin e ujësjellësit të qytetit dhe investimeve parësore për të ulur humbjet në rrjetin e shpërndarjes së ujit. Investime parësore do të ketë edhe në rrjetin e kanalizimeve dhe rritjes së kapacitetit të transferimit nga zona bregdetare turistike në impiantin e ndërtuar rishtazi të trajtimit të ujërave të zeza në Durrës. 
Do të mbështetet më tej edhe ndërmarrja e ujësjellësit, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të ofruara prej saj.
 
Qeveria i ka kushtuar përparësi sektorit të ujit dhe e ka përcaktuar zonën e Durrësit si përparësi në programin e saj. “Për rrjedhojë, projekti ofron mundësi ideale për të çuar përpara axhendën e reformave të politikave dhe atyre institucionale, të shprehur edhe në Programin e Qeverisë dhe Strategjinë sektoriale, të shoqëruara këto me financimin e investimeve parësore,” tha Tahseen Sayed, Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.
 
Projekti do të bazohet në punën e bërë nga programet e mëparshme të investimeve në sektorin e ujit në Qarkun e Durrësit dhe do të rrisë nivelin e përfshirjes së Bankës. “Përfituesit kryesorë të projektit do të jenë rreth 400,000 qytetarë në sezonin e pikut (330,000 në pjesën tjetër të vitit), të cilët do të përfitojnë nga përmirësimet e shërbimeve në rajonin e Durrësit. 


Kjo përbën një përmirësim rrënjësor përsa i përket furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave të zeza, mbulim më të gjerë të zonave urbane dhe rurale, si dhe mbrojtje më të mirë mjedisore të burimeve ujore në bregdet”, tha David Michaud, Specialist i Lartë i Bankës Botërore për Sektorin e Ujit dhe Drejtues i Ekipit të Projektit.
 
Më parë, Banka ka financuar tri projekte investimesh në sektorin e ujit. Këto projekte kanë financuar rehabilitimin e rrjetit të furnizimit me ujë, kanë forcuar kapacitetet si dhe kanë zbatuar reformat institucionale.
 
Shqipëria u bë anëtare e Bankës Botërore në vitin 1991. Që prej kësaj kohe janë mbështetur 73 projekte me një vlerë të përgjithshme prej 1.2 miliardë dollarësh nga IDA-ja dhe IBRD-ja, si dhe 49 projekte me vlerë të përgjithshme prej 225 milionë dollarësh nga IFC-ja. Aktualisht në Shqipëri po zbatohen pesë projekte në sektorin social, burimet natyrore, sektorin e ujit, energjisë, menaxhimin e sektorit publik.

 Redaksia online
(bg/ shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit