Banka Botërore parashikon që rritja ekonomikeKosovë këtë vit të jetë 3.7 për qind, apo 0.1 pikë të përqindjes më e ulët se parashikimet paraprake. Për vitin 2027 parashihet që rritja të jetë 3.9 për qind.

Ndërkaq, rritja ekonomike për vitin 2025 në Kosovë, sipas vlerësimit të Bankës Botërore ishte 3.6 për qind.

Sipas raportit, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor më 2026-2027 pritet të jetë e ngadaltë, për shkak të ndikimit nga efektet zinxhir “të konfliktit në Lindjen e Mesme, inflacionit të vazhdueshëm dhe pasigurisë në rritje”.

Pas nisjes së luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin në fund të shkurtit, u rritën çmimet globale të naftës. Kjo rritje u reflektua në tregjet evropiane të energjisë dhe preku edhe Kosovën, shtet që importon naftë.

“Pasiguria globale dhe tensionet gjeopolitike po frenojnë rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, dhe rritja e çmimeve po ndikon drejtpërdrejt në buxhetet e familjeve”, tha Xiaoqing Yu drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Ndërkohë që politikëbërësit po përdorin masa fiskale afatshkurtra për të zbutur ndikimin e këtyre presioneve mbi familjet dhe bizneset, raporti ynë tregon se çelësi për përparimin ekonomik afatgjatë janë vendet e punës. Ballkani Perëndimor ka një rezervë të madhe talenti ende të pashfrytëzuar – gra, të rinj dhe individë që dëshirojnë të punojnë, por përballen me pengesa. Përfshirja e tyre në tregun e punës është një nga masat më efektive që rajoni mund të ndërmarrë për të forcuar ekonominë”, shtoi Yu.

Sa i përket rajonit, rritja e kombinuar ekonomike – e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë – parashihet të arrijë në 2.8 për vitin 2026 apo 0.3 pikë e përqindjes më e ulët krahasuar me periudhën paraprake. Ndërkaq, për vitin 2027, pritet të ketë një “rritje modeste” që, sipas Bankës Botërore do të arrijë në 3.2 për qind.

“Për të ruajtur ritmin e reformave në një rajon që po përballet me mungesa në rritje të fuqisë punëtore, zgjerimi i pjesëmarrjes në tregun e punës është thelbësor, thuhet në raportin më të fundit të Bankës Botërore, të publikuar sot”, u tha në raportin e Bankës Botërore.

Sipas këtij institucioni, rajoni ka kapital njerëzor të pashfrytëzuar mjaftueshëm – gratë, të rinjtë dhe individë të tjerë – të cilët duan të punojnë, por përballen me pengesa për të hyrë në tregun e punës.

“Nëse shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore në të gjithë rajonin do të ishte e njëjtë me atë të vendeve të ngjashme në Bashkimin Evropian, kjo do të rezultonte në më shumë se 2.8 milionë punëtorë shtesë. Vetëm si pasojë e përfshirjes së grave në tregun e punës, rritja vjetore ekonomike mund të shtohej me 0.35 pikë përqindje”, tha Banka Botërore.

Sipas të dhënave të Agjencisë të Statistikave të Kosovës, në vitin 2025 numri i të punësuarve ka kaluar mbi 400 mijë. Ndërkaq, në mesin e personave të papunë ka më së shumti gra, të cilat mbajnë barrën më të madhe për kujdesin ndaj familjes dhe fëmijëve.

Banka Botërore tha po ashtu se personat në moshë pune, përfshirë të diplomuarit dhe punëtorët e pakualifikuar po kërkojnë paga dhe perspektiva më të mira jashtë vendit.

“Paradoksi qëndron në faktin se, edhe pse mungesat e fuqisë punëtore janë më të theksuara në sektorët kyç, shumë njerëz mbeten ende pa punë ose kanë hequr dorë plotësisht nga kërkimi i saj”, u tha në raport.

Po ashtu, ky institucion ndërkombëtar financiar paralajmëroi se popullsia e Ballkanit Perëndimor “po plaket më shpejtë” se kudo tjetër në Evropë, duke theksuar se brenda dekadës së ardhshme, një në pesë persona do të jenë mbi 65 vjeç./ REL