PROJEKTI
Projekti është miratuar ndërkohë që socialistët po lëshonin pushtetin në duart e Berishës, më 2005 dhe hyri në fuqi në nëntor të atij viti. Në fillim të vitit 2004, qeveria shqiptare kërkoi mbështetjen e Bankës Botërore për krijimin e një kuadri, që do t'i mundësonte vendit zhvillimin e bregdetit në mënyrë të qëndrueshme. Në përgjigje të saj, Banka Botërore punoi me autoritetet shqiptare për të përgatitur një Projekt për Menaxhimin e Integruar dhe Pastrimin e Zonës Bregdetare, i cili synon mbrojtjen e burimeve bregdetare dhe kulturore përmes promovimit të përdorimit të qendrueshëm të tokës, pjesëmarrjes së komunitetit dhe përmirësimit të kushteve mjedisore. Projekti u miratua në 21 qershor 2005.Pala shqiptare emëroi në postin e drejtorit të projektit dhëndërrin e kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi.
BLLOKIMI
Deri në vitin 2007, nuk pati probleme me zbatimin e projektit. Por ka qenë prishja e disa ndërtimeve në bregdetin e fshatit Jalë, që hapi "kutinë e Pandorës". Banorët mbetën pa strehë, ndërkohë që akuzuan qeverinë dhe Bankën Botërore për këtë. Opinioni i përgjithshëm ishte se ndërtimet u prishën për të krijuar shesh ndërtimi për miqtë e qeveritarëve.
REAGIMI
"Ka qenë një gjykim i dobët dhënia e moskundërshtimit nga ana e Grupit të Menaxherëve për emërimin e dhëndërrit të kryeministrit si koordinator i projektit për menaxhimin e integruar dhe pastrimin e zonës bregdetare". Për herë të parë, një përfaqësues zyrtar i Bankës Botërore pranoi më pas publikisht fajin e BB për një veprim të tillë, ndërkohë që deri tani askush nuk ishte prononcuar lidhur me emërimin e Jamarbër Malltezit si drejtues, nga pala shqiptare, i projektit. Camille Nuamah, përfaqësuese e BB në Tiranë, në një njoftim informues dhe udhëzues për mediat shqiptare, ka deklaruar, gjithashtu, se kjo bindje bazohet në faktin që "një emërim i tillë do të krijonte, të paktën, perceptimin e konfliktit të interesit dhe, rrjedhimisht, një rrezik për reputacionin e Bankës Botërore".
PRISHJET
Në të njejtën kohë, Nuamah ka deklaruar se Banka Botërore nuk ka qenë në dijeni të prishjeve të ndërtimeve në Jalë dhe u informua për to vetëm pasi shembjet kishin nisur. "Më 26 mars 2007, Njësia e Koordinimit të Projektit u ka dërguar një letër me logon e letërkëmbimit të projektit zyrtarëve dhe qeveritarëve të nivelit të lartë, përfshirë edhe drejtorin e përgjithshëm të ish-policisë ndërtimore. Kjo e fundit u përgjigj shumë pak kohë përpara fillimit të prishjes së ndërtimeve. Këtë letërkëmbim Banka e mori për herë të parë gjatë kohës kur po kryhej prishja e objekteve", shtoi më tej Nuamah.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore ka deklaruar se fotografitë ajrore nuk duhet të ishin përdorur për të prishur ndërtimet. Por ajo ka shtuar se ekipi i projektit nuk e ka sqaruar njësinë shqiptare të koordinimit për këtë fakt. "Ekipi i projektit duhet tja kishte sqaruar njësisë shqiptare të koordinimit të projektit se fotografitë nuk duhet të përdoreshin si mjet për të vënë në shënjestër për prishjen e objekteve ekzistuese. Pasi mësoi për prishjen e objekteve, grupi i menaxherëve duhet të kishte vepruar menjëherë për t'u takuar me personat e prekur dhe për të diskutuar me qeverinë mjetet e zbutjes së efekteve negative", theksoi Nuamah.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore ka shtuar se po merren masa për t'iu ardhur në ndihmë personave të prekur nga prishja e ndërtimeve. Ajo ka deklaruar se BB do të financojë kostot për realizimin e një shqyrtimi të padive, rast pas rasti, në sistemin gjyqësor shqiptar.
PASOJAT
Ende nuk dihet pse është shtyrë për herë të dytë afati i përfundimit të projektit të Bankës Botërore. Ajo që dihet është fakti se kjo shtyrje sjell pezullimin e tregut të të patundshmeve në këtë rajon, si dhe të investimeve të ligjshme me objektiv turizmin, pasi të interesuarit janë në pritje të njohjes me zonat se ku do të lejohet të ndërtohet dhe ku jo.
(Në foto njoftimi zyrës së BB ku paraqitet me shtyrje një vit e gjysmë në kohë)
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com, (print) 5 dhjetor 2012)
(ad.ti/shqiptarja.com)