TIRANE- Rruga e Kombit vazhdon të ngjallë debat në sferat politike. Në Buxhetin 2014, pjesë të Rrugës së Kombit rezultojnë ende në ndërtim, dhe u është alokuar një fond. “Shqiptarja.com” kontaktoi Ministrinë e Transportit dhe infrastrukturës për t’u informuar nëse do te ribëhet tenderi i koncensionit për pjesën e mbetur te Rrugës së Kombit, që dështoi në periudhën e qeverisë ‘Berisha’.

Për sa i përket një tenderi të ri të mundshëm, zyrtarë nga Ministria e Transportit parashtrojnë dy opsione të sugjeruara nga ana e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), e cila ishte kontraktuar për të vlerësuar ofertat e konçensioneve me anë të VKM nr. 1035, datë 27/10/2010. Kjo Koorporatë është pjesë e grupit të Bankës Botërore.

Opsionet
Janë paraqitur dy alternativa të mundshme për punimet e Segmentit I  (Degëzimi Milot - Rrëshen), për të cilin kompanitë që dhanë ofertën e tyre konçensionare kishin mosmarrëveshje mes tyre, nga IFC-ja. Mundësia e parë: “Nëse Qeveria dëshiron të përfshijë në projekt zgjerimin e segmentit 1, atëherë duhet të heq modelin e trafikut të garantuar duke e zëvendësuar me modelin e disponueshmërisë së pagesave ose të modifikohet në mënyrë të tillë që ofertuesit të konkurojnë mbi bazën e nivelit minimum të trafikut të garantuar. Gjithashtu duhet të hiqet vendosja e taksës maksimale nga ana e Qeverisë.

Ky opsion implementohet duke mos anulluar procedurën e derimëtanishme”. Dhe mundësia e dytë: “Nëse Qeveria do të marrë vetë përsipër punimet në Segmentin 1, atëherë mund të ruhet skema e trafikut minimal të garantuar siç është aktualisht në dokumentacion. Ky opsion mund të bëhet i mundshëm vetëm nëse procedura e derimëtanishme anullohet, e për pasojë fillon një e re”.
 
Ngërçi
Negociatat midis konsulentit IFC dhe kompanive ofertuese vazhduan për shumë muaj në mënyrë që të arrihet një skemë financiarisht e qendrueshme. Ndërkaq, sipas burimeve nga Ministria e Transportit, u arrit “në konkluzionin se ofertuesët hezitonin të merrnin përsipër punimet e ndërtimit për zgjerimin e “Segmentit I”, duke sjellë mosmarrëveshje ndërmjet kompanive që gëzonin eksperiencë në operim me ato që kishin eksperiencën në ndërtim brenda konsorciumit”. Ndër të tjera, IFC-ja, në lidhje me këtë ngërç, paraqiti edhe frikën e kompanive ofertuese për të investuar në Shqipëri për shkak të ndryshimeve politike që priteshin etj.

Tarifa
E pyetur nga “Shqiptarja.com” nëse do të vendoset sivjet një tarifë për të përdorur Rrugën e Kombit apo jo, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nuk ka shpehur ende asnjë qendrim.


Shkrimi u publikua sot (17.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)