TIRANË –  Sistemi bankar shqiptar ka mbushur sot 100 vjet. Me këtë rast, Banka e Shqipërisë ka hapur sot një ekspozitë “parash”, për të përkujtuar funksionin e saj jo vetëm si një mjet për të paguar, kursyer apo depozituar, por edhe si dëshmi historike e vendit. Krijimi i saj lidhet me emrin e Ismail Qemalit.

Në fjalën e tij para të ftuarve, ndërmjet tyre edhe të Kryetarit të Kuvendit,  Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, duke hapur ekspozitën“Paraja dhe edukimi financiar përmes saj”, tha:

“Për ata që besonin, dashuria për para përfaqësonte rrënjët e gjithë të këqijave. Për gjeneralët, ajo ishte arma më e fortë e luftës. Për revolucionarët, prangat e punëtorëve. Por çfarë janë paratë?

Një mal me argjend apo pllaka prej qeramike dhe copa letrash? Si arritëm në kohën kur paraja është në të shumtën e rasteve e padukshme? Pak a shumë një grupim numrash në ekrane kompjuterësh? Nga erdhi paraja dhe si evoluoi ajo?

Si sot, 100 vite të shkuara, në emër të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemal bej Vlora nënshkroi koncesionin e parë për krijimin e një banke kombëtare shqiptare.
Historia na mëson se bankingu qendror lindi si nevojë për të mbushur arkat e boshatisura të mbretërive, për të financuar fushatat luftarake, për të zgjeruar territoret dhe rritur numrin e kolonive, si dhe për të absorbuar pasojat e krizave ekonomike dhe financiare me qëllim kthimin e ekonomisë në ekuilibër.

Përkundrejt këtij konteksti, bankingu qendror shqiptar, ka një histori të ndryshme. Ismail Qemali, ky burrë i zgjuar, ideoi krijimin e bankës qendrore duke e bazuar atë në konceptin e lirisë, asaj që i kishte munguar kahera këtij populli.

Në përurimin e Bankës,"- përfundoi Fullani, Ismail Qemali u shpreh: “E themi me lavdërim se puna e bankës, për Shqipërinë është një i dyti fitim pas lirisë, dhe nga pikëpamja ekonomike dhe nga ajo politike.”

Më tej, e mori fjalën kryetari I Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili tha:

"Banka e Shqipërisë ka qenë ndër vite dhe mbetet dhe sot simbol i lirisë ekonomike të vendit, gardian i monedhës sonë kombëtare dhe hallkë e rëndësishme për stabilitetin ekonomik në këto kohë të vështirë.

Banka e Shqipërisë konsiderohet si themel i pavarësisë ekonomike të vendit tonë. Jam i bindur se ky institucion do të marrë hapat e duhuar për t'i shërbyer zhvillimit dhe stabilitetit ekonomikm të vendit

Redaksia online
(arsh/es/shqiptarja.com)