Ky memorandum formalizon dakordësinë për përpjekje të përbashkëta dhe të koordinuara, në nivel kombëtar, midis tre institucioneve: Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Banka e Shqipërisë, tha ai, vlerëson se procesi i deeuroizimit është i nevojshëm dhe dobiprurës në afatin e gjatë, si për përmirësimin e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare ashtu edhe për uljen e rreziqeve të stabilitetit financiar. Banka e Shqipërisë nuk synon uljen në zero të përdorimit të valutave në veprimtarinë financiare, por uljen e euroizimit në nivele të pranueshme për ekonomi me strukturë dhe madhësi të ngjashme.
Këshilli Mbikëqyrës mori në shqyrtim dhe miratoi një paketë vendimesh në mbështetje të nxitjes së përdorimit të monedhës kombëtare. Në këtë kuadër, u miratuan: Së pari, dokumenti i Politikës “Mbi zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jobankare që rregullohen e mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë”. Dokumenti përcakton mënyrën se si Banka e Shqipërisë do të kontribuojë në këtë proces (i njohur ndryshe si deeuroizim) dhe si do të vlerësojë ndikimin e këtij kontributi.
Dhe së dyti, disa ndryshime rregullative, të cilat finalizojnë punën e zhvilluar gjatë vitit të kaluar për identifikimin, vlerësimin dhe konsultimin me industrinë bankare, të disa masave që mbështesin zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar. Këto ndryshime rregullative synojnë ta bëjnë më të kushtueshme (pra, më pak të preferuar) veprimtarinë në valutë të sektorit bankar dhe të forcojnë mekanizmat e ndërgjegjësimit të huamarrësve (veçanërisht të atyre individë dhe të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit) për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Këto ndryshime, hyjnë në fuqi brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Ky proces kërkon një angazhim afatgjatë, ndaj këto masa mund të plotësohen me të tjera në të ardhmen, u shpreh Sejko. Në çdo rast, Banka e Shqipërisë do të veprojë gradualisht dhe në konsultim me industrinë bankare.
d.c./shqiptarja.com












