Për të blerë një banesë këtë vit duhet të shpenzosh shumë herë më shumë se vjet. Në vrojtimin e fundit të kryer nga Banka e Shqipërisë thuhet se çmimet e banesave në rang kombëtar këtë vit u rritën me 41.7% në raport me 6 mujorin e parë të vitit të kaluar. Shtrenjtimi i pronave sipas vrojtimit të bankës është udhëhequr nga çmimet e larta në bregdet, të cilat kanë rezultuar më të kripura sesa në Tiranë.

'Çmimi mesatar i banesave u rrit me 14.6% në terma gjashtëmujorë dhe me 41.7% ndaj një viti më parë. Për Tiranën, indeksi u rrit 5.1% në terma gjashtëmujorë dhe 32.6% ndaj nivelit të një viti më parë', vlerëson Banka e Shqipërisë. 

Për shkak të çmimeve të larta koha e shitjes së një prone është rritur në raport me vitet e kaluara, të ndikuara sipas Bankës qendrore prej zhvillimeve në tregun e Tiranës, ku duhen të paktën 12 muaj për të shitur një pronë. 

Në vrojtim evidentohet se kostot e ndërtimit janë rritur në këtë periudhë të parë të vitit por me ritme shumë më të ulta se çmimet e pronave në vend. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti është vërejtur edhe një rënie e numrit të pronave të blera nga shtetas të huaj, duke zbritur nën 20% sipas bankës.

Blerja e banesave nga rezidentët është mbështetur me rritje të kredisë, por bankat kanë paralajmëruar ngadalësim të huasë në tremujorin e tretë të vitit kjo për shkak edhe të kufizimeve në kredidhënie që ka vendosur Banka e Shqipërisë që hyn në fuqi në 1 korrik të këtij viti. 

Banka pret që çmimet e pronave të ngadalësojnë ritmin e rritjes, në kushtet kur edhe kredia është më e vështirë për tu marrë me tavanet e caktuara.

Vetëm në 6-muajit e parë të vitit qytetarët morën 362 milionë euro kredi për blerje banese, ose 24% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ndërsa interesi mesatar për huan hipotekore gjatë periudhës ishte mesatarisht 3.8%.

KREDIA PËR BLERJE BANESË:
Janar-Qershor 2024          275 mln euro
Janar-Qershor 2025          362 mln euro
Rritja                                +87 mln euro