Besimi në ekonomi ka vijuar të përmirësohet gjatë muajit maj, duke reflektuar një klimë më optimiste si te bizneset ashtu edhe te konsumatorët. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 1.1 pikë krahasuar me muajin prill, ndërsa mbetet rreth 7 pikë mbi mesataren historike.

Rritja e treguesit u mbështet kryesisht nga përmirësimi i besimit në sektorët e ndërtimit dhe shërbimeve, si edhe nga rritja e besimit konsumator. Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori i shërbimeve dha kontributin më të madh pozitiv gjatë muajit maj. Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 3.4 pikë përqindje dhe aktualisht qëndron 12.6 pikë mbi mesataren historike. Bizneset e këtij sektori raportuan vlerësime më optimiste për nivelin e kërkesës dhe për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen mbetën të pandryshuara.

Edhe sektori i ndërtimit shfaqi ecuri pozitive. Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 0.7 pikë përqindje dhe vazhdon të mbetet në nivele të larta, rreth 13.3 pikë mbi mesataren historike. Sipas vrojtimit, ndikimin kryesor e dhanë vlerësimet më të mira të bizneseve për aktivitetin aktual ndërtues, ndërsa kontratat porositëse patën një ndikim të lehtë frenues.

Në industri, situata mbeti thuajse e pandryshuar. Treguesi i besimit qëndroi rreth 8.3 pikë mbi mesataren historike, me rritjen e prodhimit që u kompensua nga rënia e kontratave porositëse.

Ndryshe paraqitet panorama në tregti. Treguesi i besimit në tregti ra me 3.3 pikë përqindje gjatë majit, megjithëse vazhdon të qëndrojë 9.7 pikë mbi mesataren historike. Rënia u ndikua nga vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për shitjet aktuale, si edhe nga pritjet më të dobëta për punësimin. Po ashtu, pritjet për çmimet në të ardhmen shënuan ulje të ndjeshme, duke kthyer prirjen rritëse të dy muajve të mëparshëm.

Treguesi i besimit konsumator u rrit me 2.5 pikë përqindje në maj, edhe pse vijon të mbetet rreth 2.1 pikë nën mesataren historike.

Përmirësimi, sipas Bankës së Shqipërisë, erdhi nga rritja e besimit në të katër komponentët kryesorë të treguesit: pritshmëritë për gjendjen financiare personale, për situatën ekonomike të vendit në të ardhmen, si edhe vlerësimet për blerjet e mëdha aktuale dhe ato që planifikohen në muajt në vijim.

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë