Banka Evropiane e Investimeve ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Blendi Gonxhja bën me dije se nga kjo marrëveshje ofrohet një grant me vlerë 350 000 euro, duke mundësuar shërbime këshillimore për restaurimin urban dhe rindërtimin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, një objekt trashëgimie i Shqipërisë i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.
Granti do të financojë përgatitjen, projektimin dhe rishikimet teknike të projektit, mbikëqyrjen, menaxhimin dhe prokurimin e projektit.
Këto shërbime konsulence do të sigurojnë që restaurimi i muzeut të përmbushë standardet e larta për efikasitetin e energjisë, qëndrueshmërinë ndaj masave klimatike dhe rehatinë e vizitorëve, duke rritur njëkohësisht integrimin me mjedisin urban përreth. Fondet ndahen në kuadër të Nismës për Rimëkëmbjen Ekonomike të BEI-t, e cila synon të mbështesë rritjen e qëndrueshme, infrastrukturën jetike dhe kohezionin social në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Kjo nismë plotëson programin ‘EU4Culture’ dhe do të kontribuojë në rigjenerimin urban dhe rigjallërimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë”, tha përfaqësuesi i BEI-t në Shqipëri, Alessandro de Concini. Gjithashtu, nisma do të sigurojë që ky institucion i rëndësishëm kulturor t’i kthehet popullit të Shqipërisë dhe vizitorëve nga e gjithë bota, në lavdinë e tij të plotë - më të qëndrueshëm ndaj fatkeqësive natyrore, më funksional dhe në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në postim.
Gjatë fjalës së tij Gonxhja u shpreh se kjo marrëveshje kontribuon edhe në realizimin e objektivave të Shqipërisë 2030 dhe në forcimin e procesit tonë të integrimit në Bashkimin Europian.
“Kjo asistencë teknike nga Banka Europiane e Investimeve është jashtëzakonisht e çmuar teksa hyjmë në fazën e dytë të përgatitjes për restaurimin dhe rinovimin e plotë të Muzeut Historik Kombëtar. Ajo garanton që projekti të përmbushë standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë, qëndrueshmërisë dhe rezistencës, duke kontribuar njëkohësisht në realizimin e objektivave të Shqipërisë 2030 dhe në forcimin e procesit tonë të integrimit në Bashkimin Europian”, tha Gonxhja.
Komente











Me sa duket edhe këtë verë turistët nuk do të kenë mundësi të vizitojnë Muzeun kombëtar dhe Galerinë e arteve që punët ecin me hapin e breshkës se sa për teatrin dihet do shumë kohë që të mbaroi.
Përgjigju