TIRANE - Pjesa më e madhe e bankave të nivelit të dytë në vend e kanë nisur vitin 2013 duke reduktuar, apo duke mbajtur të pandryshuara, portofolet e tyre të kredisë, sipas të dhënave të detajuara për tremujorin e parë 2013, që janë publikuar nga Shoqata e Bankave.

Intesa San Paolo ka qenë banka që ka luajtur rolin më të madh në kreditimin e ekonomisë në tre muajt e parë të vitit, duke e zgjeruar portofolin e huasë me 5.7%, apo 2.7 miliardë lekë, gjithnjë në raport me fundin e 2012-s.

Tendencën pozitive në kreditim po vazhdon ta ruajë prej disa tremujorësh radhazi edhe Societe Generale, që ka rritur stokun e huasë me 3.2%, apo 1 miliard lekë, në raport me fundin e 2012-s. Edhe bankat e tjera më të vogla si Veneto Bank kanë kontribuar pozitivisht, por me ritme më të ulëta.

Në total, kredia ndaj ekonomisë u rrit me vetëm 0.1% në tremujorin e parë 2013, në raport me fundin e 2012-s. Edhe gjatë vitit të kaluar, huaja për ekonominë u rrit me vetëm 2% me bazë vjetore, ritmet më të ulëta të dekadës së fundit.
Ndërkohë, bankat nuk e kanë lënë pas dore qeverinë, duke qenë mjaft aktive në blerjen e letrave me vlerë.

Investimet në letrat me vlerë të qeverisë nga bankat u rritën me 4% në fund të marsit 2013 (apo 14 miliardë lekë), në raport me dhjetorin 2012, ndryshe nga kredia për ekonominë, që u rrit me 0.1% (apo rreth 365 milionë lekë) për të njëjtën periudhë.

Sipas të dhënave të detajuara nga Shoqata e Bankave për tremujorin e parë 2013, bankat që kanë ulur apo nuk kanë rritur portofolet e huadhënies i kanë investuar paratë e lira kryesisht në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë. Kërkesa e lartë e bankave ka çuar dhe në një ulje të interesave të bonove të thesarit, që në ankandin e javës së kaluar zbritën në nivele minimale historike prej 5.8% (bonot me maturim njëvjeçar).

Tendenca është e ndryshme nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, kur bankat u tërhoqën nga blerja e letrave me vlerë të qeverisë, duke çuar në rritjen e interesave të bonove, pavarësisht politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë.

Banka që ka rritur më shumë portofolin e letrave me vlerë, me rreth 8% (apo gati 7 miliardë lekë) në raport me fundin e 2012-s, është BKT, që nga ana tjetër, ka kredituar shumë pak ekonominë. Të njëjtën tendencë ka ndjekur edhe Credins, me rritje 24% (1 miliard lekë) të portofolit të investimeve në letrat me vlerë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarj.com (print) 11.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)