Sa të ekspozuara janë ekonomitë e vendeve që synojnë anëtarësimin në BE ndaj krizave që prekin eurozonën? Kjo ishte një nga çështjet e diskutuara këtë të enjte në Frankfurt, ku Banka Qendrore Evropiane mblodhi guvernatorët e bankave qendrore të vendeve anëtare dhe atyre që aspirojnë të bëhen pjesë e unionit.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ngriti nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë financiar mes BE-së dhe vendeve kandidate, duke argumentuar se integrimi ekonomik rrit edhe ekspozimin ndaj krizave të jashtme.
“Vendet kandidate po ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj rreziqeve ekonomike dhe financiare me të cilat përballet Evropa, edhe përpara se të përfitojnë plotësisht nga kuadri i saj i mbrojtjes institucionale. Për rrjedhojë, bashkëpunimi më i ngushtë në fushën e mbikëqyrjes, shkëmbimi më intensiv dhe i thellë i informacionit dhe kuadër më të qëndrueshme për përballimin e situatave të stresit financiar janë qartësisht në interesin tonë të përbashkët”, tha Sejko.
Në rastin e Shqipërisë, lidhjet me ekonominë evropiane janë të forta. Afro 75% e eksporteve të mallrave shkojnë drejt tregjeve të BE-së, ndërsa unioni është burimi kryesor i investimeve të huaja direkte në vend.
“Njëkohësisht, grupet bankare evropiane kanë prani të konsiderueshme në sistemin tonë financiar, ndërkohë që euroizimi, si në sektorin financiar ashtu edhe në ekonominë reale, mbetet në nivele të larta”, u shpreh guvernatori.
Por si i ka përballuar Shqipëria goditjet e jashtme ekonomike deri më tani?
Sejko argumentoi se mbështetja te hidroenergjia e ka mbrojtur relativisht Shqipërinë nga rritja e çmimeve të gazit gjatë viteve 2022-2023 dhe nga rritja aktuale e çmimeve të naftës. Ndërkohë, forcimi i lekut, sipas tij, ka kufizuar inflacionin e importuar, duke bërë të mundur një shtrëngim më pak agresiv të politikës monetare.
Për përballimin e krizave të ardhshme, guvernatori vuri theksin te pavarësia e bankave qendrore.
“Pavarësia mundëson që vendimmarrja e bankave qendrore të udhëhiqet nga mandati dhe nga vlerësimi i fakteve ekonomike, e jo nga konsiderata apo presione afatshkurtra. Në këtë mënyrë, ajo ndihmon në ankorimin e pritjeve, ruajtjen e besimit dhe forcimin e stabilitetit makroekonomik. Në kohë pasigurie, besimi mbetet aseti më i çmuar i politikës monetare”, tha Sejko.
Krahas përafrimit të legjislacionit bankar me atë të BE-së, integrimi financiar po avancon edhe nëpërmjet sistemeve të pagesave. Në Frankfurt, guvernatorët e vendeve kandidate diskutuan me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone, për pagesat e menjëhershme, Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), euron digjitale dhe shlyerjen e transaksioneve financiare me vlerë të madhe.
Megjithatë, për Sejkon, integrimi financiar dhe harmonizimi i legjislacionit nuk janë të mjaftueshëm për të garantuar qëndrueshmërinë ekonomike.
“Jemi të vetëdijshëm se konvergjenca e vërtetë me standardet evropiane shkon përtej harmonizimit të legjislacionit. Kjo konvergjencë kërkon institucione të afta për të garantuar stabilitet në mënyrë të qëndrueshme, efektive dhe të besueshme në kohë”, theksoi guvernatori.









Komente
Komento