Ristrukturimi i kredisë është një mënyrë për të zgjidhur problemet e huamarrësit, i cili është duke u përballur me probleme financiare pa iu drejtuar procedurës së përmbarimit ose procesit gjyqësor. Është në interes të të gjitha palëve që huamarrësi të kontaktojë huadhënësin sa më shpejt të jetë e mundur, në rast se evidenton vështirësi financiare, me qëllim fillimin e diskutimit mbi ristrukturimin, thekson Banka.
Afatet e reja
Banka kredidhënëse, sipas BSH, duhet të lejojë një periudhë bllokimi afatshkurtër mbi procedurat gjyqësore apo ato të ekzekutimit të kolateralit. Në varësi të kompleksitetit të situatës, moratoriumi nuk duhet të kalojë 45 deri në 90 ditë nga data e aprovimit me shkrim të huadhënësit për fillimin e negociatave të ristrukturimit.
Huamarrësi, nga ana e tij, duhet të premtojë se gjatë kësaj periudhe nuk do të ndërmarrë veprime që mund të ndikojnë negativisht në aftësinë e tij për të ristrukturuar kredinë dhe të ripohojë angazhimin e tij për të dhënë të gjithë informacionin e kërkuar, të saktë dhe në kohën e duhur. Huadhënësi duhet t’i përgjigjet brenda afatit kohor, prej 10 ditëve pune, nga marrja e kërkesës (me shkrim) nga huamarrësi për ristrukturimin e kredisë.
Huamarrësit duhet t’i jepet nga banka kohë të paraqesë informacionin e kërkuar dhe të marrë në konsideratë propozimin për ristrukturim, përgjithësisht jo më shumë se 20 ditë, të sigurojë informacionin dhe të marrë në konsideratë propozimet formale të huadhënësit në lidhje me ristrukturimin e kredisë.
Çfarë deklarohet
Kredimarrësi duhet t’i dorëzojë bankës të gjithë informacionin e kërkuar, në kohën dhe në mënyrën e duhur, brenda një afati kohor të përcaktuar nga huadhënësi. Praktikisht, individi duhet t’i tregojë gjithshka të jetës së tij bankës. Informacioni duhet të përfshijë, por nuk duhet të kufizohet, në të ardhurat e rregullta dhe burime të tjera financiare, llogaritë e kursimit, investimet, kushtet aktuale të punësimit, burimet e të ardhurave shtëpiake, perspektivat e punësimit etj., për të siguruar vlerësimin e duhur të gjendjes financiare të huamarrësit.
ÇFARE SYNON RISTRUKTURIMI I KREDISE
I jep mundësi huamarrësit të kapërcejë vështirësitë financiare dhe të vazhdojë të përmbushë detyrimet
Shmang efektet negative sociale dhe makroekonomike, të cilat mund të shkaktohen nga ekzekutimi i një numri të madh pasurish të patundshme
Redukton mbingarkesën e procedurave në gjykata, duke reduktuar numrin e rasteve dhe zgjatjen e proceseve gjyqësore
Është më efektiv se procesi gjyqësor (mosmarrëveshja zgjidhet më shpejt dhe lejon rikuperimin e një përqindjeje më të lartë të borxhit)
Ndihmon individët të fitojnë besimin në procesin e ristrukturimit të borxhit nëse ai është i drejtë dhe transparent
Në rast marrëveshjeje, 45-90 ditë banka nuk kërkon pagesa të kësteve
Informacioni nga huamarrësi duhet të paraqitet në bankë jo më larg se 20 ditë nga data e marrëveshjes
Shkrimi u publikua sot (5.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)