Për hetimin e këtyre rasteve është kërkuar dhe ndihma e institutit të Gjeoshkencave, të cilët kanë dhënë dy përgjigje kontradiktore, ku jo vetëm që nuk kanë gjetur shkakun e lëkundjes sizmike, por kanë dhënë dhe thellësi të ndryshme. Bahet fjalë për një rast të përsëritur nga kjo kompani, ku në muajin qershor të vitit të kaluar, persona të fshatit Zharës në Fier dhe Patos-Marinzës, i janë drejtuar prokurorisë së Fierit me një kallëzim penal, ndaj drejtuesve dhe administratorëve të kompanisë së naftës, që ushtron aktivitet në këtë zonë.
Në atë periudhë, materiali është adminsitruar nga prokurori Besnik Cani, që pas pyetjes së të gjithë banorëve të dëmtuar, është vendosur të kryehet një ekspertim për të mësuar shkakun e shpërthimeve nëntokësore, që sjell dhe lëkundje sizmike në zonë, duke dëmtuar më pas banesat e banorëve. Mirëpo, kur prokuroria e Fierit kërkonte përgjigje për gjetjen e shkakut, nëpërmjet aktit të ekspertimit nga ana e specialistëve të Instituti i Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, vjen përgjigjia se nuk mund të gjendet shkaku, se cilët janë faktorët që sjellin lëkundjet sizmike të përsëritura, në zonat e Zharësës dhe Patos-Marinzës. Pavarësisht këtij akti-ekspertimi pa një përgjigje konkrete, prokuroria e Fierit ka vijuar hetimet rreth këtij rasti, duke marrë në pyetje të gjithë banorët e dëmtuar, vlerësuar dëmet ekonomike në banesa dhe se pritet që në vijim, sërisht organi i akuzës së Fierit, ti kërkojë sërisht një ekspertim të ri specilistëve të Institutit të Gjeoshkencës.
Në 36 km thellësi
Lidhur me hetimet e kryera për shpërthimet nëntokësore nga kompania “Bankers Petroleum”, prokuroria e Fierit ka administruar në dosjen hetimore përgjigjen e specialistëve të Institutit të Gjeoshkencës. Një akt i tillë pikërisht është administruar një muaj pas fillimit të hetimeve, në 19 korrik 2012, me anën e të cilit prokuroria vihet në dijeni se lëvizjet e tokës në datat 16 dhe 17 qershor, kanë burim “tektonik”, pasi kanë ndodhur në thellësi 28 dhe 36 kilometra nën tokë. Pra pranohet shkencërisht se tronditjet e tokës kanë qenë tektonike (tërmete) të cilat kanë ndodhur dy ditë rresht në 16 dhe 17 qershor 2012 pothuajse në të njëjtën orë 3.47 të mëngjesit dhe 4.00 të mëngjesit.
Shkresa e dytë
Në shkresën e dytë në të datës 12.03.2013, instituti kthen përgjigje se, në datat 16 dhe 17 qershor 2012, lëvizjet kanë ndodhur në thellësi, përkatësisht në dt 16.6.2012 në thellësinë 11 kilometra dhe në dt. 17.6.2012 dy lëvizje në thellësinë 1 dhe 5 kilometra, ndërkohë që nuk përcaktohet shkaku i tyre. Pra, ndërmjet dy shkresave konstatohet lehtësisht një diferencë shumë e madhe ndërmjet thellësisë së lëvizjeve të tokës: në shkresën e parë, lëvizjet kanë ndodhur në thellësinë 28 dhe 35 kilometra ndërsa në shkresën e dytë, lëvizjet, në të njëjtat data, kanë ndodhur në thellësinë 11 dhe 1-1.5 kilometra.
Shkrimi u publikua sot (06.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)