KUKES - Rreth 40 000 banorë të rrethit të Kukësit kanë vuajtur mungesën e energjisë elektrike prej më shumë se dy orësh gjatë mbrëmjes së djeshme. Kjo për shkak se banorët e fshatit Breg Lum të komunës Tërthore kanë bllokuar portën hyrëse të nënstacionit elektrik “Rexhepaj”. Protesta e tyre erdhi pas vendimit të kompanisë CEZ për ndërprerjen kolektive të energjisë elektrike për këtë fshat, pasi një pjesë e madhe e tyre nuk paguanin faturat e energjisë.

Protesta e tyre ka nisur rreth orës 17.00 të ditës së enjte dhe ka vijuar për plot 5 orë. Fillimisht rreth 100 banorë të fshatit Breg Lum kanë hyrë brendësi të rrethimit të nënstacionit duke mos pranuar të dalin prej aty pa u rikthyer energjia në fshatin e tyre. Më pa, duke parë se nuk kishte asnjë reagim nga zyra e CEZ në Kukës, protestës i janë shtuar edhe banorë të tjerë të fshatit, të cilën kanë vendosur stakimin e energjisë elektrike, duke lënë kështu në errësirë gjithë rrethin e Kukësit dhe një pjesë të rrethit të Hasit, gjithsej rreth 40 mijë banorë.

Pas këtij veprimi është dashur ndërhyrja e policisë për të nxjerrë jashtë rrethimit të nënstacionit elektrik, rreth 200 banorët e fshatit Breg Lum. Banorët kanë kundërshtuar të lënë ambientet e nënstacionit duke u shprehur se do të largohen prej andej vetëm kur të rikthehet energjia ne fshat, por nuk ka pasur përplasje fizike mes policisë dhe banorëve, të cilët janë nxjerrë jashtë nënstacionit, por kanë qëndruar jashtë ambienteve derisa është rikthyer energjia.

Edhe pas largimit nga policia të banorëve të fshatit Breg Lum, është dashur rreth një orë derisa të gjendej një elektricist për rikthimin e energjisë.

(jd/shqiptarja.com)