Në një tjetër protestë, por këtë herë shumë më të paktë në numër, kanë dalë pasditen e sotme banorët e lagjes ‘5 Maji’ në kryeqytet. Një pjesë e tyre kanë vendosur të bëjnë një marshim me pankarta në duar, ku kërkojnë shpronësim të pronave të tyre me çmimin e tregut.

Ata kanë bllokuar për gati 1 orë qarkullimin e makinave sot teksa janë duke zhvilluar një protestë. Ndërkohë forca të shumta policie ishin të pranishëm dhe në një moment ka pasur përplasje. Më pas ata janë ulur në kryqëzim dhe kanë krijuar trafik të rënduar. 

"Që të dëgjohet zëri jonë, edhe ne jemi shtetas shqiptarë. Edhe në kemi të drejta prone, të drejtë jete. E vetmja gjë që më mbetet mua është të mbroj pronën time. Nuk kanë nënshkruar asnjë dokument, japin vetëm premtime", thotë njëri prej tyre në mikrofonin e Report Tv.

Banorët në protestën e sotme ishin kryesisht banorë të banesave që pritet të prishen pas 10 ditësh, më 22 shkurt. 

Në kuadër të projektit të rindërtimit dhe rikualifikimit urban në zonën e ‘5 Majit’, qindra banesa janë projektuar për t’u shembur nga IMT. Një pjesë e banorëve nuk kanë pranuar kontratat e propozuara nga bashkia, ku thuhet se do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re me të njëjtat metra katror. Sipas tyre ajo është e njëanshme dhe nuk ka vlerë ligjore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:20
VIDEO/ Protesta e '5 majit', momenti kur banorët përplasen me efektivët e 'Shqiponjave' dhe rrëzohen në tokë

 

Report Tv ka siguruar pamje nga protesta e '5 majit' ku banorët përplasen me policinë. Siç shihet në pamjet e siguruara, një banore dëgjohet teksa ulërt duke thënë 'mos, mos, mos' ndërsa efektivën e forcave ‘Shqiponja’ i shtyjnë ata duke i rrëzuar në tokë.

Ora 18:50
VIDEOLAJM/ Protesta, banorët e '5 majit' ftojnë efektivët e policisë për kafe: Mos na provokoni se kthehemi prap

 

Pavarësisht se banorët e mbyllën protestën, efektivët e policisë po i shoqërojnë në drejtim të fundit të rrugës së ‘5 majit’, diçka që sipas tyre s'ka ndodhur më parë. Sakaq, banorët i kanë ftuar efektivët e policisë për të pirë kafe.

"Hajde me pi kafe për herë të fundit. Mos na provokoni se ne kthehemi prap"-dëgjohet të shprehen banorët.

Ora 17:57
Banori i '5 majit': Shtëpia ime u rrafshua, duhet të bëjmë revolucion

 

Në protestën që janë duke zhvilluar në këto momente disa banorë të 5 Majii, njëri prej tyre bëri thirrje për revolucion.

"Të bëjmë revolucion, jo vetëm protestë. Shtëpia ime u rrafshua por tani të bëjmë revolucion. Ne kemi dalë për shtëpi, jo për politikë. Ç'lidhje kam unë me politikën?"

Ora 17:38
Protesta, banorët e '5 majit' bllokojnë qarkullimin e makinave, ulen në tokë

 

Një pjesë e banorëve të '5 majit' kanë bllokuar qarkullimin e makinave sot teksa janë duke zhvilluar një protestë. Ndërkohë forca të shumta policie janë të pranishëm dhe nuk kanë ndërhyrë.  

Ora 17:27
Protesta e banorëve të '5 Maji', kryefamiljari: Më mban gruaja me rrogën 20 mijë lekë, do të shkojmë deri në pikë të fundit, s'kemi ç'të humbim

 

Një banor i lagjes '5 Maji; në kryeqytet të cilit do t'i prishet shtëpia, ka paralajmëruar grevë urie dhe përshkallëzim të protestës nëse nuk i plotësohen kërkesat.

"Deri në grevë urie, deri në pikë të fundit. Gjithçka do të bëjmë për të mbrojtur pronën. Do të përshkallëzojmë protestat. Unë i humbur se i humbur jam. Më mban gruaja me rrogën e saj 20 mijë lekë. Nuk e di Kryeministri që ka shkuar buka 1 mijë lekë? Do të dalim çdo ditë në protestë", tha ai për Report Tv.