Banorët e fshatit Burimas kanë dalë në protestë kundër projektit që parashikon furnizimin me ujë të fshatit Zvezdë përmes burimit që aktualisht furnizon Burimasin. Për të kundërshtuar ndërhyrjen, banorët kanë bllokuar rrugën hyrëse të fshatit, duke penguar edhe kalimin e mjeteve të Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve Korçë.
Ata thonë se kanë vuajtur për rreth dy dekada për mungesën e ujit dhe se vetëm dy vitet e fundit kanë siguruar furnizim të qëndrueshëm. Sipas banorëve, burimi është krijuar pas hapjes së një pusi në zonën e guroreve dhe çdo ndërhyrje që mund të ulë sasinë e ujit për Burimasin do të kundërshtohet.
Banorët shprehen se nuk janë kundër furnizimit me ujë të Zvezdës, por kërkojnë që ky fshat të sigurojë një burim të veçantë dhe që uji i Burimasit të mos preket. Për komunitetin, çështja lidhet edhe me aktivitetin e guroreve në zonë. Banorët pretendojnë se për vite me radhë kanë përballuar pasojat e aktivitetit të tyre dhe se pusi është hapur pikërisht në funksion të nevojave të guroreve.
“Ne nuk jemi dakord ose pranojmë me një kusht nëse hiqet gurorja”, tha një banor.
“Fshati nuk është dakord me këtë gjë. Ne kemi vuajtur 20 vite për çështjen e ujit, dikur e mbushnim me bidona. Uji është jetë”, tha një banor tjetër.
Protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim të reagimit nëse projekti vijon dhe kërkojnë rishikimin e tij.
Ndërkohë, nga Ujësjellës-Kanalizimet Korçë bëhet me dije se bëhet fjalë për një projekt të ri të miratuar, i cili parashikon furnizimin me ujë të disa fshatrave, mes tyre Zvezdën, Pojanin dhe Plasën.
Sipas institucionit, furnizimi i Zvezdës nuk do të cenojë Burimasin dhe synimi është që e gjithë zona të ketë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm.










Komente
Komento