Për rreth 1 orë, banorët e fshatit Luz kanë protestuar dhe sot për segmentin rrugor që kalon përmes fshatit pasi me kalimin e kohës struktura është degraduar dhe është kthyer në problem madhor. Ata kërkojë ndërhyrje të menjëhershme nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Kjo rrugë që është pjesë e Unazës së Madhe të qytetit, lidh fshatin me autostradën Fushë-Krujë – Milot dhe është e gjatë 1.5 km. Përveç banorëve të zonës, rruga përdoret masivisht nga mjetet e tonazhit të rëndë të fabrikave të çimentove, guroreve e të tjera. Këto kamionë që furnizohen me çimento në Fushë -Krujë dhe materiale të tjera ndërtimi sot kanë mbetur të bllokuar gjatë zhvillimit të protestës.

Banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestës në rast se nuk marrin reagim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH). Ata ankohen për dëmtimin e automjeteve të tyre, si dhe për rrezikun që hasin çdo ditë nxënësit e një shkolle aty pranë.

“Kemi dalë për rrugën. Është copë copë. Taksat për makinat i paguajmë e në rrugë nuk futen dot”, tha Ramiz Baku.

“Vetëm për turistët që vijnë në Krujë, të ishte rregulluar 50 herë kjo rrugë. Asnjë turist nuk shko tani në Krujë. Vijnë njerëz nga Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe habiten me këtë rrugë”, tha Sabri Baku.

“Është 1.5 km e gjatë. Këtu kalon 70-80% e gjithë materialeve të ndërtimit që ndërtohet në Shqipëri. Kjo ka një rrezik të madh për banorët sepse këtu kalojnë shumë kamionë. Rreziku kryesor është për fëmijët e shkollës që është këtu ngjitur. Ne protestojmë që shtetit të vendosë dorë në këtë rrugë para se të bëhet katastrofa. Ka pasur dhe aksidente”, tha Erzen Deliu.

Si qytetar i thjeshtë, protestës iu bashkua dhe ish-kandidati për deputet i PD-së Aulon Kalaja ndërsa bën me dije se banorët do t’i drejtohen ARRSH-së me një letër kërkesë për informacion mbi fondin e miratuar ose jo për rikonstruksionin e rrugës.

“Kanë dalë për të drejtën e tyre për rrugën. Edhe sot e kanë bllokuar rrugën se janë në të drejtën e tyre. I bën thirrje ARRSH, të vijë drejtori dhe të shohë rrugën. Janë bërë makinat çdo ditë për servis. Bizneset që janë këtu janë duke falimentuar. Është rrezik permanent për fëmijët e shkollës sepse nuk ka një mbikalim, kamionët u rrezikojnë jetën. Duhet asfalt i trashë se kalojnë kamionë dhe prishet. Do të bëjmë një shkresë për të kërkuar informacion nëse është miratuar fondi për rrugën e Luzit. Sot është devijuar trafiku dhe sot kanë hyrë kamionët në Fushë-Krujë. Po kaloni makina e drejtorit të ARRSH këtu, tërhiqemi të gjithë”, tha Aulon Kalaja.