Avokati i Popullit do të monitorojë nga afër protestën që do të zhvillohet pasditen e sotme nga Adriatik Lapaj dhe mbështetës të tij përballë kryeministrisë.

Pavarësisht përplasjeve të forta për një karrige në Kuvend pas zgjedhjeve të 11 majit, Endrit Shabani, në cilësinë e Avokatit të Popullit ka marrë masa për garantimin e respektimit të standardeve ligjore dhe të drejtave të qytetarëve pjesëmarrës në protestë.

“Avokati i Popullit informon publikun se, në kuadër të ushtrimit të mandatit te tij kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ka ndërmarrë masa për monitorimin e protestës së organizuar sot nga partia “Shqipëria Bëhet”.

Një ekip vëzhguesish të Avokatit të Popullit është angazhuar në terren, ndërsa strukturat përkatëse janë vënë në gatishmëri për të qenë të pranishme, sipas nevojës, në ambientet e komisariateve të policisë dhe institucioneve shëndetësore. Ky angazhim synon ndjekjen nga afër të çdo veprimi pasues dhe garantimin e respektimit të standardeve ligjore dhe të të drejtave të qytetarëve.

Avokati i Popullit do të vijojë monitorimin e situatës dhe do të ushtrojë kompetencat e tij ligjore në përputhje me zhvillimet në terren”, njofton institucioni i Avokatit të Popullit.

Përplasjet e Adriatik Lapajt dhe simpatizantëve të tij, të cilët që prej datës 8 dhjetor qëndrojnë 24/7 poshtë zyrës së Ramës, kanë qenë të shumta. Shkak kryesisht janë bërë çadrat dhe tendat që Lapaj dhe të tjerët vendosnin në trotuarin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të kaluar natën.