Mungesa e infrastrukturës ngriti në protestë banorët e fshatit Fushë-Milot në Kurbin, që bllokuan për disa minuta rrugën që lidh zonën me autostradën Lezhë-Milot.

Sipas banorëve, segmenti rrugor me gjatësi rreth 2 kilometra është degraduar, duke u bërë i pakalueshëm për shkak të gropave. Ata fajësojnë kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë, të cilat transportojnë inerte nga lumi Mat.

“Rruga nga Shullazi deri në nënkalimin e autostradës është e dëmtuar. Këtu po hamë pluhur”, tha një banor.

“Kjo rrugë është skandal, kërkojmë të shtrohet rruga.  Këtu të merret fryma në dimër e verë nga pluhurat. Rruga e Fushë-Milotit është shumë problematike. Këtu i vetmi investim është bërë para 25 vitesh. Kërkojmë të marrin masa për rrugën”, shprehen të tjerët.

Kjo rrugë, e cila lidh aksin e vjetër me autostradën, u shërben disa fshatrave të Kurbinit dhe përdoret gjithashtu si rrugë alternative për çlirimin e trafikut gjatë sezonit veror. Gjatë pesë viteve të fundit ajo ka pësuar dëmtime të shumta dhe, pavarësisht ankesave dhe protestave të vazhdueshme, nuk ka pasur ndërhyrje për riparimin dhe mirëmbajtjen e saj