Banorë të fshatrave të Njësisë Administrative Thumanë zhvilluan këtë të mërkurë një protestë në rrugën e fshatit Gramzë, duke bllokuar për rreth një orë segmentin që lidh aksin e autostradës Thumanë-Kashar.

Sipas protestuesve, një pjesë rreth 500 metra e kësaj rruge është në gjendje tejet të amortizuar dhe është kthyer në problem serioz për drejtuesit e automjeteve. Ata shprehen se dëmtimet e shumta në asfalt dhe mungesa e ndërhyrjeve e kanë bërë qarkullimin të vështirë dhe të rrezikshëm.

Në shenjë pakënaqësie ndaj institucioneve përgjegjëse, banorët mbajtën të bllokuar qarkullimin, duke paralajmëruar se do të vijojnë protestat deri në rikonstruksionin e plotë të segmentit rrugor. Ata shprehen se me këtë rrugë duket sikur janë në Mesjetë.

 “Është bërë rruga katastrofike, e kanë lënë në mëshirë të fatit. Do ta vazhdojmë protestën derisa të shtrojnë rrugën”, tha një prostestues.

“Kjo është gjëja më thjeshtë që po kërkon populli. Duam të hyjmë edhe në Europë ne, po hyhet kështu në Europë”, tha një protestues tjetër.

“Këtu nuk vë dorë shteti fare. këtu kalon gjithë veriu, do të vazhdojmë protestën deri sa të rregullohet rruga. Jemi të detyruar ta bllokojmë sepse ka më shumë se gjashtë muaj që është në këtë gjendje. Këtu kalohet veç me tank, se nuk kalohet as me mjete të vogla as të mëdhaja” u shpreh një tjetër.

Në mbështetje të tyre ishte edhe aktivisti i shoqërisë civile, Aulon Kalaja, i cili kërkoi reagim të m nga autoritetet për zgjidhjen e situatës.

“Ju është nxirë jeta gati 1 vit. Janë 3 mijë banor, 3 fshatra, që iu nxihet jeta çdo ditë në këto balta e gropa. Duhet të durojnë baltën por dhe trafikun. Mirë që kalojnë këtu, por pse nuk e shtrojnë? Sa kanë marrë vesh që do të bëhej protestë, dhe kanë hedhur çakull. Po nuk është zgjidhja çakulli. Duhet asfalt rreth 25 cm i lartë. Infrastruktura në këtë zonë është katastrofë. Protesta e banorëve është legjitime dhe ata janë në të drejtën e tyre. Jo me asfalt elektoral se sa bie shiu, shpërbëhet asfalti”, tha Kalaja.