Banorë të lagjes nr. 1 në Sarandë kanë protestuar ditën e sotme përpara Bashkisë së qytetit.

Shkak i protestës është bërë ndryshimi i kahut të vendparkimeve në rrugën “Lefter Talo” pas përfundimit të rikonstruksionit të saj.

Sipas banorëve, zhvendosja e parkimit nga krahu i djathtë në të majtë paraqet rrezik për jetën e qytetarëve, pasi pasagjerët, gjatë hyrjes dhe daljes nga automjetet, përballen drejtpërdrejt me qarkullimin e mjeteve.

Po ashtu, ata theksojnë se edhe procesi i shkarkimit të mallrave nga automjetet e furnizimit për bizneset bëhet më i rrezikshëm, pasi detyrohen të hapin dyert në anën ku kalon trafiku.

Protestës iu bashkua edhe kryetarja e degës së Partisë Demokratike në Sarandë, Matilda Qurku, e cila e cilësoi reagimin e banorëve si të drejtë dhe të justifikuar.

Banorët janë pritur në ambientet e Bashkisë nga përfaqësues të institucionit, të cilët kanë dëgjuar shqetësimet e tyre dhe kanë premtuar se do të ngrihet një grup pune për të vlerësuar situatën. Sipas tyre, pas këtij procesi do të zhvillohet një tjetër takim me banorët, ku do të komunikohet edhe vendimmarrja përfundimtare e Bashkisë.