Me 81 fshatra dhe 7 njësi administrative bashkia e Maliqit pritet që t’i bashkohet bashkisë së Korçës sipas propozimit të maxhorancës për reformën administrativo-territoriale.

Bashkia, që numëron rreth 31 mijë banorë, është e treta nga madhësia në qarkun juglindor dhe ndër më të mëdhatë që preket nga harta territoriale. Fshati më i largët malor në Maliq është Dushari ku një banori, i duhet të udhëtojë me orë të tëra drejt Korçës për shkak të infrastrukturës, ndërsa Podgoria, fshati më i largët në distancë nga Korça, është rreth 35 km.

Kjo, bën që banorët të shprehin kundërshtime të forta për shkrirjen, pa fshehur frikën se tashmë shërbimet do të jenë shumë larg tyre.

"Unë si banor i Maliqit mendoj se po bëhet politikisht. Në 30 vite politika nuk ka qenë në interes të qytetarëve. Maliqi nuk është trajtuar si duhet, nuk është menaxhuar mirë, kurban i politikës",- thotë një banor.

"Qytetarët do të kishin krizë direkt, është distanca shumë larg me Korçën. Kjo politikë është zhgënjyese",- thotë një tjetër.

"Te shërbimet është problem", deklaron një qytetar.

"I kemi këtu shërbimet, të ikim në Korçe thoni ju?", pyet me shqetësim një tjetër.

Bashkia e Maliqit nën administrimin e saj ka fushën e dytë më të madhe bujqësore në vend me një sipërfaqe 24 mijë hektarë tokë bujqësore. Kryesisht me kulturat e drithërave, pemëtarisë dhe perimeve.

Jurgen Isullfari, banor i zonës thotë se shkrirja, do të reflektojë pasoja edhe në bujqësi, sektori kyç që i sjell të ardhura banorëve të bashkisë.

'Në momentin që do shkrihet bashkia, do shkrihet qyteti dhe do ndikojë në sektorë si bujqësia. Do ndikojë te fermerët. Lidhja me korcën do bëhet më e largët. Të heqin dorë nga kjo reformë. I drejtohem maznikut, I kam bërë apel edhe në dëgjesat që kemi zhvilluar, është bashki e madhe dhe e fortë, nuk plotëson asnjë kriter për shkrirjen",- thotë Jurgeni.

Qarku juglindor përbëhet aktualisht nga 6 bashki duke nisur nga Korça, Pogradeci, Maliqi, dhe tre bashkitë me popullsi më të vogël, Devolli, Kolonja dhe Pusteci.