Disa banorë kanë tentuar të depërtojnë në zonën e kantierit përmes rrugëve alternative, por janë ndaluar nga forcat e rendit. Banorët kanë vijuar me akuzat se policia po mbron zaptuesit e tokave të tyre.

Luçjana Kokaj dhe avokati i banorëve, Ndue Pjetra, kanë shpjeguar situatën aktuale dhe kanë theksuar vendosmërinë për të mos u tërhequr nga protesta.

Luçjana Kokaj: Ardhja e njerëzve nga gjithë Shqipëria sot në Rrjoll tregon që kjo është një plagë jo vetëm e Rrjollit. Rrjolli ka bërë një rezistencë mahnitëse për të mbrojtur të drejtën e vet, amanetin e të parëve. Aty po punohet me ritme të frikshme. Jemi në procedura nëpër gjykata, presim që Prokuroria e Shkodrës të dalë me një vendim. Jemi të gatshëm që të vazhdojmë me ekspertiza ndërkombëtare, se pronën tonë s’do të lejojmë askënd ta privatizojë. Do të vijmë të jemi këtu çdo ditë. Ndërkohë që prokuroria ka 1 vit që nuk e mbyll hetimin, normal që të krijon dyshime. Nuk jemi kundër zhvillimit, por ne nuk mund ta lejojmë që dikush të punojë në tokën tonë dhe ne të na përjashtojë komplet.

Ndue Pjetra: Nuk është problemi se do të bëjmë rrëmujë me kundërshtarët që kemi këtu. I bëj thirrje shqiptarëve, sepse i vetmi vend është Rrjolli; tokat e gjithë shqiptarëve janë në rrezik. Nëse Rrjolli përmbyset nga kjo qeveri, atëherë asnjë qytetar s’do të ketë më të drejtë të kërkojë pronat e marra nga forca e pushtetit. S’jemi në ’97 që këto parti kërkuan që të luftohej veri kundër jugut. Sot i bëjmë thirrje të gjithëve të vijnë e të solidarizohen, se situata nuk është normale dhe mund të agravojë në veprime të rrezikshme.

Protestës i janë bashkuar edhe qytetarë nga zona të tjera të vendit. Një zonjë nga Dukati i Vlorës ka ngritur shqetësimin për çështjen e pronësisë në Shqipëri.

“Nëse i mohon pronën dikujt, i ke mohuar atdheun. Problemi i gjithë shqiptarëve nuk është a keni apo s’keni dokumente. Unë i kam të gjitha dokumentet, por pronat e të parëve të mi nuk po njihen. Është lufta më e rrezikshme që po i bëhet popullit shqiptar në gjithë njerëzimin e tij,” tha ajo.

Ndërkohë, në zonë vijojnë punimet për ndërtimin e resortit “Blu Borgo”, në një sipërfaqe prej 146 hektarësh në bregdetin e Velipojës. Projekti ka nisur në shkurt të këtij viti dhe parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese dhe shërbimi, me ndërtesa nga 3 deri në 10 kate mbi tokë, si dhe një kat nëntokë. Subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”, e biznesmenit pranë familjes Berisha, Bashkim Ulaj. Banorët pretendojnë se resorti po ndërtohet në tokat e tyre, që janë tjetërsuar përmes dokumenteve të falsifikuara nga ish-zyrtari Fatmir Shpellzaj, i cili më pas ia ka shitur investitorit strategjik.