Shiu që binte pa pushim nuk i ndali banorët e Rrjollit të zbresin në kantierin ku oligarku Bashkim Ulaj po ndërton resortin “Blu Borgo”, në Velipojë, buzë detit Adriatik. Në ditën e 13 të protestës, Ulaj kishte marrë masa për të mbrojtur punëtorët me polici private, ndërsa në krah të banorëve për herë të parë u shfaq përfaqësuesja e Avokatit të Popullit.
“Situata paraqitet e tensionuar. Qytetarët po protestojnë për një të drejtë të mbrojtur nga Kushtetuta, siç është e drejta e pronës, e drejta për transparencë dhe e drejta për të protestuar. Institucioni i Avokatit të Popullit ka misionin kushtetues për të garantuar këto të drejta”, tha ajo.
Mes baltës dhe llucës, protesta vijoi përreth dy orë, ku banorët u përplasën me policinë në përpjekje për të ndalur punën e makinerive në kantierin e ndërtimit. Mes turmës ka shume gra, burra dhe një fëmijë, Santiago, i ardhur nga Anglia, të cilin familjarët e vendosin në qendër të kësaj beteje.
“Ne duam t’ju tregojmë të gjithëve se këtë tokë nuk e lëshojmë. Këtu është Santiago, nipi im, i cili ka ardhur nga Anglia. Ai ka lënë nënën e tij atje, e cila është me probleme shëndetësore. Santiago ka lindur me pasaportë europiane dhe është larguar nga Shqipëria në një kohë kur nëna e tij nuk kishte mundësi zgjedhjeje mjekësore këtu. Ai është kthyer sepse e di që kjo është toka që e ka lënë gjyshi i tij dhe u ka thënë të gjithëve se ne nuk e lëshojmë. Këtë e thotë ai, që është fëmijë, dhe e themi të gjithë ne që jemi pas tij”, tha një banore.
Ata zotohen se nuk lëshojnë pronat qe ua kanë lënë trashëgim të parët dhe se disponojnë dokumente pronësie, përfshirë tapi të hershme dhe vendime gjyqësore.
Banorët e Rrjollit bëjnë thirrje Prokurorisë së Shkodrës që të shqyrtojë padinë për falsifikim te dokumenteve nga Fatmir Shpellza, që e kanë depozituar prej afro 1 viti. Po sipas tyre, Shpellza ia ka shitur tokën më pas Bashkim Ulajt.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë së Shkodrës që të trajtojë dosjen që ka prej një viti në zyrë. Ta studiojë, ta shqyrtojë dhe të flasë sipas realitetit, duke i dhënë të drejtën këtij populli”, tha një tjetër.
Pas dy ditësh, ata presin nga Gjykata e Apelit Administrativ ‘sigurim padie’ për pezullimin e punimeve deri të jepet vendimi përfundimtar për çështjen e pronësisë.
“I bëjmë thirrje edhe gjykatës, se kemi seancën më datë 19 në Gjykatën e Apelit Administrativ në Tiranë, ta shikojë të vërtetën dhe të na japë të drejtën tonë. Të paktën të japë një masë sigurimi për pezullimin e punimeve derisa çështja e pronës të shqyrtohet nga gjykatat përkatëse”
“Nuk është normale që mbi 80 familje të mbeten pa pronë dhe të vijë një person, Fatmir Shpeza, duke pretenduar se është pronar i tokës. Ne kemi dokumente pronësie, kemi tapi të vitit 1930 dhe vendim gjykate të vitit 1996. Nuk ka asnjë ekspert në Republikën e Shqipërisë që mund të shqyrtojë dokumentet tona dhe të dalë në përfundimin se kjo tokë nuk është e jona.
“Çështja po zvarritet. Prokuroria e Shkodrës mund ta kishte trajtuar brenda një viti. Ne shpresojmë që drejtësia të flasë sipas së vërtetës. Nuk duam të akuzojmë askënd pa prova, por kërkojmë trajtim të drejtë dhe vendimmarrje të paanshme”, thanë protestuesit.
Në thirrjet e tyre nuk mungon as apeli drejtuar kryeministrit Edi Rama. Por, për Sali Berishën i cili nuk u ka dalë asnjëherë në mbrotje për këtë protestë, banorët thonë se nga ai nuk presin zgjidhje pasi Bashkim Ulajn e ka njeri të familjes.
“I drejtohemi kryeministrit Edi Rama që të vendosë dorën në zemër për këtë popull. Se ne Edi Ramen e kemi votuar...dhe ai e dha lejen për ndërtimin e resortit kur ne jemi në konflikt” Nga Berisha nuk presim ne se e ka njeri te familjes bashkim Ulajn”, tha një tjetër banor.
Me tej protestuesit thanë se do t’i drejtohen dhe institucioneve ndërkombëtare.
“I jemi drejtuar Kuvendit, gjykatës, prokurorisë. Hapi i radhës do të jetë t’u drejtohemi institucioneve ndërkombëtare, përfaqësuesve të Këshillit të Europës dhe ambasadave të huaja ne Tiranë”, vijon një tjetër.
Punimet për ndërtimin e “Blu Borgo”-s në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, Bashkim Ulaj i nisi në fillim të shkurtit pasi mori lejen e ndertimit. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”, me statusin e investitorit strategjik.
Komente










