Prej thuajse dy muajsh, banorët e Rrjollit në Velipojë vijojnë protestën e tyre, në të cilën kundërshtojnë ndërtimin e resortit Blue Borgo në këtë zonë nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj.

Luçiana Kokaj, si një nga protestueset dhe përfaqësuese e banorëve të zonës, shprehet se, në lidhje me dosjen e tyre, Prokuroria e Shkodrës vijon të “flejë gjumë” dhe nuk merret me të.

Teksa akuzon Bashkim Ulajn se po përdor Policisë dhe krimin e organizuar për të rrëmbyer tokat e banorëve të zonës, Kokaj paralajmëron se askush nuk do t’i gëzojë pronat e grabitura.

Kokaj po ashtu u kërkoi shqiptarëve që të bashkohen për të kërkuar drejtësi, duke theksuar se çështja e problemit të pronave nuk është vetëm në Rrjoll, por në të gjithë vendin.

“Banorët e Rrjollit janë çdo ditë në tokën e vet, duke mbrojtur tokën e të parëve, pavarësisht padrejtësisë së institucioneve. Nuk kemi për ta lëshuar asnjëherë. Ju mund të vazhdoni të kërkoni resort me policë, me shtet, me ndihmën e krimit dhe të mafies. Por tokën tonë nuk ka për ta gëzuar askush. Prokuroria e Shkodrës vijon të flejë gjumë mbi dosjet tona, ndërkohë që duhet t’i jepte gaz për t’i dhënë të drejtën popullit. Policia që paguhet nga taksat tona, duhet të jetë për të na mbrojtur ne dhe jo për të mbrojtur krimin. Policia sot është mobilizuar për të mbrojtur një falsifikator letrash. Kjo është një gjë e paprecedentë në asnjë shtet të Europës. Prona nuk është vetëm një problem i Rrjollit sot, por i çdo familjeje shqiptare”, tha mes të tjerash Kokaj.

Edhe pse tashmë u bë kohë që banorët e Baks-Rrjoll dalin çdo ditë për të protestuar, duke u përballur me policinë, nga ana e institucioneve ka një heshtje totale, duke e lënë çështjen e këtyre banorëve pezull dhe pa zgjidhje.