Banorë të tre fshatrave në Njësinë Administrative Komsi në Bashkinë e Matit protestuan ndaj një firme që ka ndërtuar një HEC-e, e cila sipas tyre ka dëmtuar veprën e marrjes së ujit vaditës.
Banorët e këtyre fshatrave thanë se dëmtimi i veprës së marrjes i ka lënë ata me gjysmën e sasisë së ujit, e cila është e pamjaftueshme për 130 hektar tokë bujqësore. Banorët u ankuan se nuk është bërë asnjë konsultim me ta nga ana e firmës, e cila ka ndërtuar një depozitë për të ndarë ujin vaditës për 4 fshatra, tre të cilët janë në një linjë e 1 në linjë tjetër.
"Siç shihet nga pamjet, është dëmtuar vepra e marrjes së ujit vaditës të tre fshatrave. Vaditet rreth 130 hektarë tokë. Fshatarët atje po zihen me njëri tjetrin për fajin e firmës që ka prishur rrjetin e marrjes që ujit vaditës. Ne kërkojmë ballafaqim me firmën, ne kemi ardhur që të pezullojmë firmën që mos të punojë më deri në ballafaqim. Në ballafaqim me popullin që të shtrojë problemet e veta. Kontrata ka qenë mos me e prek ujin vaditës",- tha njëri nga banorët.
Një tjetër banor i zonës është shprehur se firma po punon në mënyrë të padrejtë, pasi nuk ka respektuar projektin fillestar.
"Ne nuk do të lëvizim prej këtu derisa firma të vijë dhe të konsultohet me ne dhe ta ndërtojë atë ashtu siç ka qenë. Këtu po punohet padrejtësisht, po punohet jashtë rregullave. Ndryshe veprohet me letra, ndryshe veprohet praktikisht, këtu shihet edhe me sy",- deklaroi një tjetër banor i zonës.
Banorët e fshatrave Gërman, Kodërçerre dhe Midhë kërkojnë që firma të ulet me ta dhe ta zgjidhë këtë problem, në të kundërt do të përshkallëzojnë protestat e tyre deri në shkatërrim të investimit të bërë nga ana e firmës.
Gjithashtu banorët ngritën edhe shqetësimin e ujit të pijshëm i cili sipas tyre duhet kontrolluar nëse është i konsumueshëm apo jo.