MAQEDONI - Në Kumanovë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa edhe kjo e hënë është ditë zie në Maqedoni. Pas luftës së përgjakshme që shpërtheu mëngjesin e së shtunës mes policisë dhe grupit të armatosur të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare shkollat, kopshtet e çerdhet janë mbyllur, ndërsa ka mungesë të energjisë elektrike dhe ushqimeve.

Lagjja e “Trimave” e banuar tërësisht nga shqiptarë, thuajse është e shkatërruar nga të shtënat dhe shpërthimet që vijuan me ndërprerje deri të dielën. Në mbrëmje, banorët e evakuuar janë rikthyer në banesat e tyre ku janë gjendur të pashpresë përballë pasojave tragjike që bëhen dëshmi se ajo që nisi nga disa të shtëna sporadike u kthye në fakt një luftë e vërtetë.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë përmbylli operacionin policor me një bilanc tragjik: 22 të vrarë, prej tyre 8 policë dhe 14 të armatosur, ndërsa mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë.  30 prej grupit të armatosur u dorëzuan, ndërsa ministria në deklaratën e të shtunës mbrëma tha se grupi i organizuar kishte qëllim sulme terroriste ndaj institucioneve të Maqedonisë.

Edhe pse kanë marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin  ndaj policisë, UÇK ka mohuar të jetë grup terrorisit. Në deklaratën e para publike, kryeministri Nikola Gruevski tha se ishte i qëllimshëm dhe kishte synim destabilizimin e vendit.
 
Banorët kthehen në Lagjen e Trimave, gjithçka e shkatërruar
Shtëpi të shkatërruara, rrugë që ndodhen nën pushtetin e gëzhojave të plumbave, erë baruti e dyqane të dëmtuar totalisht. Kjo është situata me të cilën janë përballur shqiptarët e lagjes së “Trimave” pasi janë rikthyer në banesat e tyre mbrëmjen e së dielës. Të përlotur nga tmerri që përjetuan, banorët mbeten në udhëkryq për fatin e tyre.

 “Kjo është shtëpia e fqinjëve të mi dhe është e dëmtuar plotësisht.  Kjo është e paparë që ka ndodhë dhe një tmerr i vërtetë që nuk ka ndodhur as në luftëra më të ashpra. Nuk dimë çfarë fati do të pësojmë dhe a do të vijë dikush në ndihmën tonë”, theksoi një banorë i Lagjes së Trimave.
 
 
Hyrja e Banorëve në Lagjen e Trimave!

EKSKLUSIVE! Hyrja e Banorëve në Lagjen e Trimave - Kumanovë!Pamjet: TV FESTA

Posted by Kumanova Sot on 2015-05-10