Banorët Pobregut në Kukës kundërshtojnë ndërtimin e landfillit të ri sanitar ne fshatin e tyre. Gjatë dëgjesës publike, mbajtur nga Bashkia e Kukësit, Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve dhe përfaqësues të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), ata shprehën shqetësimin se landfilli mund të sjellë ndotje të ajrit, tokës dhe ujërave në zonë.

“Kjo zonë është shumë afër me qytetin. Këtu fryn era e veriut 270 ditë të vitit. Një e fryrë, i pari që do e pësojë është qyteti jonë. Nuk jam për ta bërë në këtë zonë”, tha një prej banorëve.

Lorenc Çollaku, koordinator i projektit në Agjencinë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, deklaroi se landfilli do të ndërtohet sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe ndikimi në mjedis do të jetë zero.

“Ka marr përsipër të ndërtoj këtë projekt me vlerë 13 mln euro për zonën e mbetjeve Kukës. Ladfilli do të financohet nga Be, kontrolli e supervizimi, gjithçka do të jetë e mbikëqyrur nga Be. Vendi që është përzgjedh për ndërtimin, është i përcaktuar prej vitesh nga studimet e fibiliteti. Ndikimi te banorët, në ajër dhe te ujërat do të jetë zero. Ky ladfill do të jetë shembull në të gjithë Shipërinë. Ky landfill do të ketë shtresë që do të mbrojnë tokën, impiante që do të trajtojnë uji, gazin që do të prodhohet. Në këtë ladfill do të bhet ndarja e mbetjeve, nuk do të shkojmë me depozitim mbetjesh në qelizë”, tha ai.

Edhe kryebashkiaku i Kukësit, Albert Halilaj, tha se landfilli do ketë menaxhim të sigurt, ndërsa vend depozitimet aktuale do të mbyllen.

“Është një investim që do të kryhet nga BE. Përfitojnë Kukësi dhe Gjirokastra. Është i domosdoshëm, janë përcaktuar vend depozitimet aktuale do të mbyllen dhe do të krijohen landfillet e mirëfillta. Një qytet i pastër, është premisa më e mirë për të zhvilluar turizmin”, tha ai.

Landfilli sanitar i Pobregut parashikohet të ndertohet deri ne vitin 2030 me fondet e BE-se dhe AFD-se, dhe do ketë një kapacitet prej 250 mijë m3 mbetje për 25 vjet. Ne funksion të këtij projekti do të ngrihen dhe dy stacione transferimi me kapacitet magazinimi 2-3 mijë ton në vit në bashkitë, Has dhe Tropojë.