Banorë të fshatit Dardhë në Librazhd kanë hequr një rrethim të vendosur pranë një burimi uji në këtë zonë. Gardhi me tela dyshohet se ishte vendosur nga një hidrocentral i ndërtuar në Gurrë Bardhë, ndërsa burimi i ujit ndodhej brenda territorit të rrethuar. Sipas banorëve, ata janë përballur prej katër ditësh me mungesë të ujit të pijshëm, situatë që ka shkaktuar reagimin e komunitetit.

Për ngjarjen ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, i cili tha se ka qenë pranë banorëve për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për t’u njohur nga afër me situatën.

“Banorët e fshatit Dardhë prej katër ditësh janë përballur me mungesën e ujit të pijshëm, si pasojë e ndërprerjes së furnizimit nga kontraktori i HEC-it, në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara në marrëveshje. Kjo është një situatë e papranueshme për një komunitet që nuk duhet të mbetet pa një shërbim jetik si furnizimi me ujë”, shprehet Disha.

Ai bën me dije se ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problemit dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë për banorët, ndërsa paralajmëron masa ndaj subjektit përgjegjës.

“Kam kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për zgjidhjen e problemit dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë për banorët. Njëkohësisht, ndaj subjektit përgjegjës do të ndiqen të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji, duke kërkuar vendosjen e sanksioneve për shkeljen e marrëveshjes dhe cenimin e interesave të banorëve”, thekson kreu i Bashkisë së Librazhdit.