TIRANE- Banorët e zonës në kryqëzim të bulevardit “Zogu i Parë” me rrugën “Dervish Hatixhe” i janë drejtuar TV “A1 Report” pasi prej një viti ndihen të harruar nga instancat qeveritare. Nuk kanë as oborr dhe as lulishte, pasi kjo hapësirë është e rrethuar nga një firmë private për të ndërtuar një pallat me leje të Bashkisë së kryeqytetit.
 
Historia e kësaj gërmadhe ka nisur fill pas zgjedhjeve të 23 qershorit të vitit 2013, ku Bashkia e Tiranës i jep një leje zhvillimi një firme private për të ndërtuar pallate. Më pas firma nis punën, e cila pak muaj më vonë u pezullua nga INUK për shkelje të renda të ligjit. Ka kaluar një vit dhe këta banorë ndihen të harruar nga Bashkia e Tiranës, e cila nuk ka ardhur asnjëherë për të rehabilituar zonën, e për ta kthyer atë në një zonë të gjelbër me lulishte.
 
Banorët tregojnë për “A1 Report” se jeta e tyre është bërë shumë e vështirë, madje në rast fatkeqësie nuk mund të zhvillojnë dot një ceremoni mortore, të presin një ambulancë apo zjarrfikëse.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)