Milan po ngre barrikada radhazi për të penguar joshjen e mëtejshme të mbrojtësit brazilian Thiago Silva, në drejtim të Barcelonës, por në ambientin e kuqezinjve ka frikë për shitjen e lojtarit. Është përfolur për një takim të drejtuesve të Milanit, me zyrtarët "blaugrana" këtë javë, duke patur parasysh vullnetin e brazilianit për të kaluar në Spanjë.

Por nuk mungon rezistenca e administratorit të deleguar, Galliani: "Jo. Ju betohem se nuk kemi asnjë takim të programuar mes nesh dhe Barcelonës". Thiago Silva, një mbrojtës me moshë të re te Milan, pëlqehet shumë nga Barcelona, Psg, dhe City, por katalanasit janë synimi i parë i tij.

"Thiago do të qëndrojë me ne 99.9%. Ai nuk do largohet këtë verë" tha Galliani. Edhe trajneri Allegri, ishte i qartë me emisarët e Barcelonës, të cilët kanë misionin për të hapur rrugë të reja komunikimi.

"Nëse kjo skuadër do të humbë Thiago Silva, do të jetë një gjë shumë e rëndë. Ai është mbrojtësi më i fortë në botë dhe një kampion 3 shkallë më lart se të tjerët" tha trajneri Max Allegri. (rb/shqiptarja.com)