GJERMANI - Në “Allianz Arena” sot do të zbresin disa nga futbollistët më të mirë në botë për gjysmëfinalen e Ligës së Kmapioneve mes ekipeve të Bayernit të Mynihut dhe Barcelonës. E cilësuar si finalja e parakoshme e këtij kompeticioni, kjo supersfidë po pritet me mjaft interes, pasi Barcelona nuk ka arritur të fitojë kurrë në Mynih.

Spektakli në këtë 90’ minutësh është i garantuar nga të dy ekipet, pasi në përbërje të tyre kanë futbollistë që kalojnë mbi një miliardë euro. E kur bëhet fjalë për Barcelonën dhe Ligën e Kampioneve nuk mund të rrihet pa folur për futbollistin më të mirë katalanas, Lionel Mesin që nuk po kalon një formë shumë të mirë fizike pas një dëmtimi në kofshë.

Megjithatë sulmuesi do të jetë në fushë, një lajm të tillë e konfirmon edhe Xavi. “Të gjithë do të donin që të kishin në ekip futbollistin më të mirë në botë, aq më tepër në një ndeshje gjysmëfinale. Besoj që do të jetë në formën më të mirë, pavarësisht dëmtimit që kaloi. Bayernin e vlerësojmë, por mendoj që është përfshirë nga euforia pas rezultateve të fundit.

Synimi ynë është që të shënojmë në fushën kundërshtare, për të qenë të qetë në ndeshjen e kthimit’ thotë Xavi. E ndërsa Zubizarieta deklaron se në Mynih do të ja dalin edhe pa Mesin nëse mungon, Pike provokon duke u shprehur se ka ikur koha e gjermanëve.

Trajneri Hejnkes thotë se e ka studiuar mirë lojën e Barcelonës dhe e di ku i ka pikat më të dobëta. “Barca ka një filozofi unike të krijuar nga Guardiola, megjithatë unë nuk do ti kërkoj asnjë këshillë edhe pse e kam mik, pasi mendoj që do ia dal mbanë ta mund me idetë e mija” përfundon tekniku.

Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 23.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)