Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandes nuk e fshehu paraqitjen e dobët të skuadrës pas humbjes 1-0 si mysafir ndaj Almerias në La Liga Santander.
Trajneri katalanas tha se ishte i zemëruar, pasi ishte ndeshja më e keqe e sezonit, veçanërisht në pjesën e parë duke humbur edhe mundësinë që të zgjeronin distancën me Real Madridin me 10 pikë.
“Jam shumë i zemëruar sepse luajtëm ndeshjen më të keqe të sezonit, veçanërisht në pjesën e parë”, Na mungonte qarkullimi, intensiteti, ritmi, nuk treguam pasionin për të fituar ndeshjen. Ishte një ndeshje e vështirë, një ditë e vështirë, por ne jemi ende shtatë pikë larg në krye”-tha Xavi.
Ai u kërkoi falje tifozëve dhe tha se skuadra duhet të ndryshojë mentalitetin nëse dëshiron të fitojë La Liga-n.
"Dështuam, i kërkojmë falje tifozëve. Do të jetë e vështirë të fitojmë La Liga, por duhet të ndryshojmë mentalitetin tonë. Nuk treguam se donim të fitonim"-shtoi trajneri katalanas.
Xavi bëri ndryshime në skuadrën e tij duke pasur parasysh eliminimin e së enjtes mbrëma në Ligën e Evropës, por nuk mjaftoi për t'u rikthyer me fitore në ligën spanjolle.