Barcelona ka poshtëruar Real Madridin në “El Clasico” pasi ka fituar me rezultatin e thellë 5-1. Një sfidë e dominuar totalisht nga katalanasit, të cilët treguan dhëmbët që në minutën e 11-t, me Coutinho-n që zhbllokoi shifrat pas një inkursioni të Xhordi Albës. Festojnë tifozët, por edhe Messi që gjendet në tribunë. As argjentinasi, por edhe as Ronaldo nuk gjenden në fushë për herë të parë pas 9 vitesh.
Përpiqet Real, por Barcelona gjen golin e dytë. Është Suarez ai që dyfishon shifrat në minutën e 30-t pas një penalltia të ekzekutuar saktë që fitua me “VAR”. Kaq në pjesën e parë, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë është Marcelo ai që shkurton shifrat dhe kthen Realin e Madridit në lojë. “Galaktikët” hidhen në sulm për barazimin, por në momentin më të mirë, Suarez shënon golin e tretë për Barcelonën. “El Pistolero” mposht me kokë Kortuan pas një krosi të Sergio Robertos.
Ky episod kthen qetësinë te katalanasit, të cilët në minutën e 83-t me uruguianin Suarez sërish do të realizonin golin e katërt. Kur të gjithë prisnin që ky të ishte rezultati përfundimtar, Vidal pak para fundit të lojës vulosi kapitullimin e “galaktikëve” në “Camp Nou”. Një fitore që e çon në 7 diferencën e pikëve mes Barcelonës kryesuese dhe Realit të Madridit në “La Liga”. Pas 10 javësh kampionat, skuadra e Lopetegit që rrezikon shkarkimin, renditet e 9-a me 17-t pikë.
Komento