Lionel Messi është rikthyer të stërvitet me Barcelonën 11 ditë pasi argjentinasi pësoi një frakturë në krahë. “Pleshti” në sfidën që Barcelona luajti kundër Sevillia-s u detyrua të dilte nga fusha në minutën e 23-t, pas lëndimit që pësoi në krahë si rrjedhojë e një dyluftimi me kundërshtarin.
Në momentin e parë frika pushtoi katalanasit pasi u mendua që Messi kishtë thyer krahun, por me kalimin e orëve gjithçka u qartësua. Gjithsesi fituesi i 5 herë “Topit të Artë” humbi dy ndeshje shumë të rëndësishme për shkak të dëmtimit, kundër Interit në “Champions” dhe Realit në kampionat.
Me shumë mundësi, pavarësisht se argjentinasi është rikthyer në stërvitje, do të humbasë edhe ndeshjen që Barcelona luan sonte në kupën e mbretit kundër Leonesas. Messi pritet të jetë i gatshëm të shtunën në sfidën e “La Ligas” kundër Rajo Valekanos. Sa i takon sfidës që luhet sonte, trajneri Valverde sipas mediave spanjolle ka planifikuar të zbresë në fushë me formacionin e dytë. Kundërshtari i Barcelonës militon në Grupin B të Segunda Divizion dhe për këtë arsye në fushë nuk do të zbresë asnjë prej titullarëve, të paktën nga minuta e parë.