Gjatë vizitës së tyre në Romë, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi dhe deputetja Jorida Tabaku zhvilluan një takim në Senatin Italian me Giuliomaria Terzi di Sant’Agata, ku në fokus ishte situata politike në Shqipëri dhe procesi i integrimit europian.
Gjatë takimit, Bardhi dhe Tabaku e njohën senatorin, i konsideruar si një mbështetës i fortë i Shqipërisë, me zhvillimet e fundit në vend duke vënë theksin tek fakti që sipas tyre, Partia Demokratike mbetet e palëkundur në mbështetjen për integrimin në Bashkimin Europian.
Megjithatë, sipas dyshes demokrate procesi nuk mund të ecë përpara duke shmangur problemet reale. Sipas tyre, integrimi në Bashkimin Europian duhet të bazohet te meritokracia dhe përmbushja reale e standardeve, një linjë që, siç thanë të dy, mbështetet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Demokratët ngritën shqetësimin se aktualisht Shqipëria nuk i përmbush këto standarde. Sipas tyre, mazhoranca ka goditur shtyllat kryesore të një shteti demokratik, duke cenuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Bardhi dhe Tabaku gjithashtu akuzuan qeverinë është kthyer në “mburojë të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, duke penguar kështu rrugën europiane të vendit.
Komente







