Midis “shashkave” të shumta që ka hedhur presidenti, është edhe “shashkë” dekreti i tij për zgjedhjet edhe për “pushtetin lokal” edhe për ato “parlamentare” e pse jo, edhe për presidentin. Kështu u shpreh Presidenti para pak kohëve kur dekretoi datën e zgjedhjeve më 13 tetor!
Çudi e madhe! Presidenti dekreton zgjedhjet dhe askush nuk po lëviz nga vendi. Nuk dëgjohet asnjë fjalë në media, nuk dëgjohet asnjë mobilizim për të shkuar në votimet e 13 tetorit “ballëlart” e “duarplot”!
Pse kështu vallë? Firmos presidenti dekretin dhe ai dekret ka aq fuqi sikur ta kishte firmosur ndonjë antar i LRI-së në Jalë. Nxjerr dekret presidenti dhe askush nuk e vë “ujin në zjarr”!
Ç’është ky dekret i tillë? Dekreti i tij i parë për zgjedhjet e 30 qershorit, në fillim kur e nxori ishte një dekret i ligjshëm!
Më pas e nxori të jashtëligjshëm dhe mbas një pauze prej afro një muaji, nxori një dekret të “ligjshëm”si ky i 13 tetorit. Koha po vërteton që ky dekret është po aq i jashtëligjshëm ndoshta edhe më shumë se i pari. Megjithatë, më 30 qershor shkuan të votojnë një pjesë e qytetarëve që bashkë me “kokëfortësinë” e Ramës, për të shkuar me çdo kusht në këto zgjedhje bëheshin afro 22% e qytetarëve me të drejtë vote. Pra 22% e qytetarëve e quajtën këtë datë si të ligjshme.
Nuk po hyjmë në detaje se si dhe sa ata votuan për mazhorancën, mbasi “fitorja” më e madhe, ishte për koalicionin opozitar, kur mbas rezultatit të tyre Basha, fërkonte duart.
Vetëm 15% e qytetarëve e mbështetën “qeverinë e krimit” do të deklaronte ai, kurse 85% e tyre do t’i kthenin krahët qeverisë së krimit dhe do të mbështetnin opozitën. Pra Basha ishte i “kënaqur” me 85% të mbështetësve të tij në një kohë që mazhoranca kishte vetëm 15$ të mbështetësve! Basha, i cili është mësuar të “ngopet” vetëm me “fitoret” e humbjeve të tij të njëpasnjëshme, i ngjan atij hyzmeqarit që shërbente tek Agai. Ndërsa Agai gatuante për veten e vet as që i shkonte ndërmend që t’i çonte një copë bukë edhe hyzmeqarit të tij, i cili kishte ditë pa ngrënë.
“Aga efendi, i tha ai një ditë. Unë po vdes, kam tre ditë që nuk kam vënë gjë në gojë”! “Po pse more qerrata, nuk jeni ngopur me aromën e gjellëve të mija që përhapen kudo dhe janë “ngopur” të gjithë, kurse ti jo”. Po të ecim sipas kësaj logjike të Bashës, sepse ai ka një logjikë bindëse që nuk e ka askush, na duhet të themi që më 13 tetor Bashës i kthyen kurrizin 100 për qind e qytetarëve, kurse të majtën, megjithëse me “brekë nëpër këmbë” të paktën e preferuan pesëmbëdhjetë apo njëzet për qind. Sipas këtij “argumenti”, ja kështu “ngopet” edhe Basha dhe opozitarët e tij, që megjithëse të papunë, megjithëse nuk kanë bërë “shkrap” për të bërë diçka, “ngopen” vetëm me “aromën” e asaj pjese që nuk votuan për “qeverinë e krimit”! Ta lëmë Bashën dhe “Bashistët” në “bunkerin” e tij që kërkojnë “qofte ke Daja” dhe kërkojnë të fitojnë “betejën” edhe pa shkrepur një “pushkë” dhe të shkojmë tek presidenti.
Nuk mund të imagjinojmë se si mund ta mbajë vendi edhe atëherë kur nxjerr një dekret dhe askush nuk e vë ujin në zjarr! A nuk kemi të drejtë të themi që presidenti, as më shumë e as më pak ka dekretuar “paaftësinë” e tij apo inekzistencën e tij?
Përse duhet një president, kur të vetmen kompetencë që ka fuqi ligjore siç është dekreti, nuk ja dëgjon dhe nuk e zbaton askush? Nuk e dëgjojnë dhe nuk e zbatojnë as anëtarët e partisë së tij, nuk e dëgjojnë dhe nuk e zbatojnë as opozitarë e tij dhe as mbështetësit e tij.
Sikur ta zhveshim nga të gjitha “kusuret” e tjera që rrëndojnë mbi të dhe të marrim vetëm këtë të dekretit në “eter”, do të ishte e mjaftueshme që ai të jepte dorëheqjen. Përse na duhet ky president? Për ta patur si alpinist kur ai shkon nëpër majat e maleve apo në krojet me ujë të ftohtë?
A mund ta besojë kush këtë president që do të japë dorëheqjen, siç deklaronte muaj më parë që “po nuk u zgjidh kriza, unë do të jap dorëheqjen apo do të vetësakrifikohem si Salvador Alende”! Iku kjo punë dhe e pamë se sa i gatshëm ishte ai për të dhënë dorëheqjen, kurse për vetësakrifikimin me jetën e tij mos e dhëntë Zoti. Koha po vërteton më së miri që, ai jo vetëm nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, por edhe është hedhur në sulm kundër të gjithëve, për të mbajtur me çdo kusht e me çdo çmim karrigen e tij.
Në shënjestër i ka vënë të gjithë, ambasadorë amerikanë e evropianë që vijnë këtu e hedhin nga një “grusht me miza” në “çorbën” presidenciale! Këta të fundit janë “fajtorë”, nuk është presidenti i cili “është i vendosur t’i qëndrojë besnik Kushtetutës dhe askujt tjetër”!
Dikur përgjërohej për Komisionin e Venecias, si i vetmi kompetent që ka dhënë kontribut për hartimin e Kushtetutës, për zbatimin e neneve të saj. Komisioni i Venecias, deklaronte presidenti, është ai që ka të drejtën të japi verdiktin për shkeljen ose jo të Kushtetutës nga ana e presidentit. “Nëqoftëse Komisioni i Venecias është i mendimit që unë kam shkelur Kushtetutën, unë jam i gatshëm që të jap dorëheqjen”! Po ku ta dinte “Luani i Artë” që edhe “strofkulla” e luanit do të ishte i mendimit që presidenti ka tejkaluar kompetencat në anullimin e datës së zgjedhjeve? Çfarë mund të thotë më shumë se kaq Komisioni i Venecias, i cili nuk imponon, por deklaron një shkelje të hapur të Kushtetutës nga ana e presidentit?
Po si reagoi Presidenti për këtë deklaratë të Komisionit të Venecias, që e konsideronte si “idhull”? “Nëqoftëse Komisioni i Venecias çmendet, unë nuk kam ndërmend të çmendem”, deklaron presidenti. Pra Komisioni i Venecias, tani po e mësojmë që paska qënë i “çmendur” dhe ne e të gjitha vendet e Evropës kërkojmë të marrin mend! Komisioni i Venecias ishte i fundit që “Luani i Artë” nuk ishte ndeshur ndonjëherë. U ndesh edhe me këtë dhe e humbi betejën, por presidenti, veten e quan fitimtar. “Presidenti, nuk do të luajë deri në muajin korrik të vitit 2022, sepse jam i bindur në besnikërinë e Kushtetutës dhe zbatoj vetëm atë”! Në mbështetje të tij është vetëm Monika, “opozitarja” e tij që deklaron: “Nëqoftëse Meta ikën si president i vendit, unë nuk kam ndërmend t’i lëshoj karrigen e kryetarit të partisë”.
Dy veta janë, një hall nuk e kanë. Monika shkon edhe më tej. “Të na thotë Komisioni i Venecia se cilin nen të Kushtetutës ka shkelur Ilir Meta dhe kjo do të mjaftonte që ai të jepte dorëheqjen.
Ata, nuk mund ta thonë kurrë një gjë të tillë sepse Ilir Meta është i bindur që nuk ka shkelur asnjë nen të Kushtetutës, prandaj ai nuk mund të japë dorëheqjen”! Me kaq mjaftohet Monika, për të mos shkuar më tej e të hapim letrat e valixheve dhe çantave me para që kanë shkuar në Venecia, sepse pastaj nuk i dihet fundit se ku do të mbahej kjo qeveri.
Të çudit fakti që Monika vazhdimisht ka akuzuar mazhorancën që ka futur në burg ata që kanë vjedhur energjinë elektrike apo ujin në vlerën e pesë mijë lekëve të vjetra dhe ka lënë pa ndëshkuar oligarkët e qeverisë që vjedhin e bëjnë kërdinë me paratë e popullit. Dhe ja tani, Monika tregohet aq shumë tolerante sa që nuk denoncon as super hajdutët qeveritarë që çojnë çanta e valixhe me para në drejtim të Venecias.
Çfarë qeveri përbindëshash që është, sa kanë arritur të “korruptojnë” jo vetëm qytetarët e vetë, por kanë “korruptuar” edhe Amerikën, edhe Evropën dhe së fundi i kishte mbetur vetëm Komisioni i Venecias. Tek e mendon këtë, çdokujt i shkon ndërmend: Nuk paska forcë kjo qeveri të korruptojë një kryeministër hollandez t’i thotë “po” negociatave me Shqipërinë, apo mos vallë ky ruhet me kamera sigurie nga bashkëkombësi i tij Basha dhe Monika për t’i qëndruar “Jo-së” së tij deri në fund?
Së dyti, a nuk është e mjaftueshme kjo akuzë e Monikës që nëqoftëse argumentohet, gjë për të cilën Monika është e sigurt, ta çojë në organin e Prokurorisë dhe sakaq, edhe qeveria edhe kryeministri i “krimit dhe korrupsionit” “gremisen”, pa qenë nevoja që Monika t’i vijë rrotull filxhanit e të shtjerë fall, të shohë ëndrra e të deklarojë me vite të tëra që sot apo nesër Rama do të iki me turp? Moj kasolle ku na mblodhe!
E lëmë mënjanë edhe Monikën dhe kthehemi edhe njëherë tek presidenti, duke e ditur që gjithçka flitet e argumentohet është e kotë, sepse atij tashmë i ka dalë edhe “boja” edhe “kallaj”. Më keq akoma, presidenti me gojën e zëdhënësit të tij, me një fjalor me fjalët e marra hua nga rrugaçi më i rëndomtë i rrugëve, i turret deputetit të ri të Parlamentit. Hajde president hajde, sa “lart” jeni ngritur! Edhe vetë atij, pavarësisht që askush nuk po luan “vendit” deklaron: “Mua më shqetëson data 18 tetor, data kur do të hapen negociatat”.
Duke falenderuar herë njërin e herë tjetrin personalitet evropian për ndihmën që po jep për hapjen e negociatave. Cili është ai shqiptar që e merr seriozisht këtë “shqetësim” të këtij hipokriti, në një kohë që ai ka vite që ka bërë tërë tentativat të pengojë reformën zgjedhore, të pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE!
Vetëm “kontributin” që ka dhënë Monika për integrimin në BE të shohin dhe çdokush do të bindet se sa presidenti dhe kryetarja e LSI-së kanë qenë të angazhuar për të hapur negociatat me BE-në! Fajin askush nuk e merr përsipër. A nuk kishte të drejtë Don Kishoti kur i thoshte Sanco Pancos, “Eh more Sanco, e ku merrni vesh ju nga punët e kalorësisë”!