Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se PD është pro aderimit të Shqipërisë në bordin e paqes për Gazën, por sipas tij, kjo duhet të bëhet sipas rregullores së Parlamentit.
Komentet Bardhi i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku pretendoi se deputetët e opozitës janë njoftuar shumë vonë për seancën e sotme plenare dhe sipas tij nuk është koha e mjaftueshme për shqyrtimin e këtij projektligji.
Bardhi tha gjithashtu se Partisë Socialiste i duhej me urgjencë miratimi në Kuvend i Aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, pasi sipas tij, i nevojitej pak zhurmë për të hequr vëmendjen nga skandalet e zv.kryeministres Belinda Balluku.
“Shqiptarët e dëgjuan hartimin e kolegut parafolës, por nuk dëgjuan asnjë fjalë se ku qëndron nxitimi i Shqipërisë për ta përmbyllur këtë process sot. Në 10 minuta fjalë nuk u shpjegua se për çfarë arsye dhe ku qëndron urgjenca e shqyrtimit të këtij projektligji me rëndësi hitorike. Kolegët duhet ta votojnë brenda 12 orëve pasi ka mbërritur nga Këshilli i Ministrave. Duhet të kërkoni ndjesë, pasi ky që keni në krye e ka konsideruar Presidentin Trumpo, i cili po vëndos paqe në të gjitha vendet e botës, si turpi i njerëzimit. Ka qenë Edi Rama i vetmi lider botëror që i është drejtuar presidentit të SHBA-ve me termin që përcakton turpin e njerëzimit.
Një deklaratë që vë në rrezik sigurinë dhe marrëdhëniet strategjike mes popullit shqiptar, Shqipërisë dhe Kosovës, me SHBA-të. Ne ndihemi krenar për marrëdhëniet që kombi shqiptar ka me SHBA-të. Prandaj edhe ftesa e Trump i është drejtuar Shqipërisë dhe Kosovës. Prandaj parafolësi duhet të kërkonte edhe një tjetër ndjesë, që herën e kaluar u ngrit këtu dhe bëri propagandë sikur ai që i ka thënë Presidentit Trump ‘turp i njerëzimit’ ishte i vetmi lider në Ballkan që ishte ftuar të bëhej pjesë e Bordit të Paqes. Dhe u detyrua Presidentja e Kosovës ta nxirrte gënjeshtar. Nuk mund të tallesh me Presidentin e SHBA-ve që të flasësh për arritje historike, ndërkohë që para disa viteve e ke quajtur njeriun kyç të paqes sot në botë ‘turp i njerëzimit’.
Për t’u kthyer te kërkesa jua, ke 2 kërkesa zoti kryetar, e para ke kërkesën e Këshillit të Ministrave e cila duhet të dorëzohet më para se kërkesa e Grupit Parlamentar të PS. Se kta nuk mund të kërkojnë procedurë të përshpejtuar për një projektligj që nuk ka ardhur në Kuvend. Edhe dokumentin e kanë sjellë pa firmë, se kaq serioz jeni ju. Nuk është as firma e kryeministrit dhe as firma e ministres së Jashtme. Tani na thoni kë duhet të votojë ky Kuvend, kërkesën për procedurë të përshpejtuar të Këshillit të Ministrave, apo kërkesën për procedurë të përshpejtuar të këtyre që kërkonin shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të një ligji që nuk kishte ardhur akoma në Kuvend. Si do e justifikoni ju shkeljen e procedurës. Që i njoftoni deputetët në orën 9 të darkës dhe ne vijmë ta votojmë të nesërmen në mëngjes, një projektligj kaq të rëndësishëm.
Kuvendi me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose 1/5 së deputetëve mund të miratojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se një javë nga nisja e procedurës së shqyrtimit. Patjetër që jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, por duhet ta bëjmë sipas rregullores së Kuvendit. E bëjmë efektive brenda një jave, por juve ju duhet me nxitim sepse duhet të zhurmoni për këtë zonjën këtu (Belinda Ballukun)”, tha mes të tjerash Bardhi.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes, nis seanca në Kuvend! Opozita-Ramës: Përse nuk je në Davos? Kryeministri: Zgjodha vajzën me lejen e Trump







