Nga ana e opozitës, u soll në vëmendje shqetësimi për dobësimin e kontrollit të pakicës parlamentare mbi qeverinë. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, tha se kryeministri ka refuzuar 7 kërkesa për interpelancë nga opozita.
“Kryeministri në 1 vit të kësaj legjislature, nuk ka pranuar asnjë interpelancë apo kërkesë për llogaridhënie nga opozita. Janë 7 kërkesa të tilla në një vit, që Kryeministri ka refuzuar t’i përgjigjet, duke e reduktuar prezencën e tij në Kuvend, vetëm kur nevojitet vota e tij për të miratuar ndonjë ligj me shumicë të cilësuar. Kjo i ka pamundësuar opozitës të luajë rolin e vet në një shoqëri demokratike, që ndër të tjera është edhe të mbajë përgjegjëse Qeverinë për fenomene negative, që prekin interesin publik”, tha Bardhi.
Ai shtoi se nuk është ngritur ende as komisioni hetimor për 11 majin, çështje që opozita e fitoi në Gjykatën Kushtetuese. Më pas, u ndal te miratimi i ligjit për pagat e gjyqtarëve, pas ngërçit që u krijua me bllokimin e tyre nga Thesari i Shtetit.
“Shumica parlamentare rimiratoi një ligj, i cili është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese plot tri herë, duke injoruar standardet që kjo Gjykatë i kishte lënë detyrë Kuvendit. Kryeministri bëri të qartë në seancë plenare, se Gjykata Kushtetuese mund të kontrollojë dhe shfuqizojë një ligj, por nuk na detyron ne sesi do të votojmë”, tha Bardhi.
“Për ne deputetët e opozitës, Shqipëria nuk do të bëhet europiane vetëm duke miratuar ligje me emra europianë. Shqipëria bëhet europiane kur institucionet funksionojnë sipas standardeve europian”, tha Bardhi.
Ai nënvizoi se objektivi s’duhet të jetë veç mbyllja e kapitujve:
“Objektivi duhet të jetë të hapim një kapitull të ri për Shqipërinë: Një Shqipëri me institucione më të forta. Me Parlament më të fuqishëm”, përfundoi Bardhi.
Lajmi kryesor:
Mbledhja e Komitetit të Stabilizim-Asociimit, Peleshi: Anëtarësimi në BE, prioritet i prioriteteve! Ambasadorja Moreira de Sousa: Jo kthim mbrapa, të ruhet ritmi i reformave (VIDEO)








