Anëtarësimi në Bashkimin Europian është “prioriteti i prioriteteve” të Shqipërisë. Në fjalën e tij në mbledhjen e 22-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri në Tiranë, kryetari i Kuvendit tha se BE nënvizoi angazhimin e Kuvendit në këtë proces dhe kalimin te kontrolli i zbatimit të ligjeve të miratuara,
“Busulla e Shqipërisë mbetet e pandryshueshme. Anëtarësimi në BE është qëllimi ynë strategjik kombëtar, destinacioni i vetëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon dhe prioriteti numër një i Kuvendit. Tashmë kemi hyrë në një fazë përcaktuese të procesit të negociatave ku fokusi po vendoset nga miratimi i ligjeve te zbatimi i tyre efektiv dhe i matshëm. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është prioriteti i prioriteteve tona. Po punojmë për të garantuar dhe jetësuar procesin demokratik të procesit të integrimit. Të gjithë jemi dakord se për Shqipërinë dielli lind nga Perëndimi”, tha Peleshi.
Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, theksoi se pavarësisht përparimit dhe krenarisë që duhet të ndiejë Shqipëria, mbetet ende punë për të bërë. Reformat duhet të jenë të pakthyeshme dhe paralelisht të ruhet mbikëqyrja parlamentare dhe transparenca.
“Për të arritur mbylljen e negociatave, progresi i negociatave kërkon progres në të gjitha reformat që kërkon BE. Duhet të mos kemi kthim mbrapa. Puna për konsolidimin e reformës në drejtësi duhet të vazhdojë duke u fokusuar te drejtësia dhe duke siguruar të gjitha standardet që duhet të ketë sistemi i drejtësisë. Rezultatet duhet të jenë të pakthyeshme. Shqipëria ka bërë hapa përpara për të drejtat e njeriut, por vihet në dukje se përpjekja për të ruajtur ritmin e reformave duhet të vazhdojë. Shpejtësia nuk duhet të rrezikojë mbikëqyrjen e parlamentit dhe bërjen publike të ligjeve. Gjithçka fillon me ligje të mira. Duhet të bëhet konsultim kuptimplotë para se të miratohen. Legjislacioni s’duhet të jetë vetëm teknikisht i saktë, por në përputhje me nevojat e qytetarëve. Duhet të kemi një qasje që të përfshijë gjithë shoqërinë dhe këto reforma bëhen më të realizueshme. Parlamenti ka një rol kyç për ta realizuar një gjë të tillë. Një parlament transparent është një shtyllë e rëndësishme e një demokracie të shëndoshë”, tha ambasadorja.
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla, shprehu sërish ambicien për mbylljen e negociatave në dhjetor të vitit të ardhshëm dhe anëtarësimin e plotë në 2030. Ai shtoi se ky është proces kombëtar në të cilin Kuvendi ka një rol të rëndësishëm.
“Ambicia jonë është e qartë: të përfundojmë negociatat brenda Krishtlindjeve 2027 me synimin e anëtarësimit të plotë brenda 2030. Kjo nuk është thjesht ambicie e lidhur me një afat kohor, por e lidhur me rezultate pune. Kuvendi duhet të jetë vendi ku kontrollohet cilësia e legjislacionit, zbatimi i tij dhe përfshihen qytetarët, biznesi dhe grupet e interesit. Integrimi në BE është proces kombëtar dhe Kuvendi duhet të jetë garant kryesor”, tha Balla.
Lajm në përditësim...

Nga ana e opozitës, u soll në vëmendje shqetësimi për dobësimin e kontrollit të pakicës parlamentare mbi qeverinë. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, tha se kryeministri ka refuzuar 7 kërkesa për interpelancë nga opozita.
“Kryeministri në 1 vit të kësaj legjislature, nuk ka pranuar asnjë interpelancë apo kërkesë për llogaridhënie nga opozita. Janë 7 kërkesa të tilla në një vit, që Kryeministri ka refuzuar t’i përgjigjet, duke e reduktuar prezencën e tij në Kuvend, vetëm kur nevojitet vota e tij për të miratuar ndonjë ligj me shumicë të cilësuar. Kjo i ka pamundësuar opozitës të luajë rolin e vet në një shoqëri demokratike, që ndër të tjera është edhe të mbajë përgjegjëse Qeverinë për fenomene negative, që prekin interesin publik”, tha Bardhi.
Ai shtoi se nuk është ngritur ende as komisioni hetimor për 11 majin, çështje që opozita e fitoi në Gjykatën Kushtetuese. Më pas, u ndal te miratimi i ligjit për pagat e gjyqtarëve, pas ngërçit që u krijua me bllokimin e tyre nga Thesari i Shtetit.
“Shumica parlamentare rimiratoi një ligj, i cili është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese plot tri herë, duke injoruar standardet që kjo Gjykatë i kishte lënë detyrë Kuvendit. Kryeministri bëri të qartë në seancë plenare, se Gjykata Kushtetuese mund të kontrollojë dhe shfuqizojë një ligj, por nuk na detyron ne sesi do të votojmë”, tha Bardhi.
“Për ne deputetët e opozitës, Shqipëria nuk do të bëhet europiane vetëm duke miratuar ligje me emra europianë. Shqipëria bëhet europiane kur institucionet funksionojnë sipas standardeve europian”, tha Bardhi.
Ai nënvizoi se objektivi s’duhet të jetë veç mbyllja e kapitujve:
“Objektivi duhet të jetë të hapim një kapitull të ri për Shqipërinë: Një Shqipëri me institucione më të forta. Me Parlament më të fuqishëm”, përfundoi Bardhi.









Komente
Komento