Partia Demokratike vazhdon t'i qëndrojë mendimit se për shkak të keqmenaxhimit të situatës, bizneset në Shqipëri po falimentojnë.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në një reagim në Facebook, thotë se Shqipëria është vendi i fundit në rajon për ndihmën ndaj qytetarëve dhe biznesit.

Sipas Gazment Bardhit për shkak të Ramavirusit, siç e quan ai po mbyllen bizneset dhe bashkë me to edhe vendet e punës.

Reagimi i Gazment Bardhi

Për shkak të Ramavirusit, Shqipëria është vendi i fundit në rajon për ndihmën ndaj qytetarëve dhe biznesit. Edi Rama ka dhënë vetëm 41.5 milionë euro për 3 milionë shqiptarë, aq sa paguan 2 oligarkë tek Unaza e Re.

Gjendja është shumë e rënduar nga pandemia ekonomike, e shkaktuar prej një qeverie dhe kryeministri të dështuar. Bizneset po mbyllen dhe bashkë me to, edhe vendet e punës.

Kemi humbur 10-fishin e vendeve të punës, në krahasim me vendet e rajonit, që do të thotë më shumë varfëri, më pak zhvillim. Shqiptarët nuk e meritojnë të jenë për gjithçka të fundit vetëm se kanë një qeveri që i vjedh dhe i braktis në ditën më të keqe.