Është zbardhur raporti që Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi I ka dërguar të gjitha selive diplomatike në Shqipëri, duke pretenduar për asgjesimin e të drejtave kushtetuese të opozitës në Kuvend dhe degradimin e standardeve në funksionimin e Kuvendit.

Në raportin e opozitës thuhet se në 6 muaj e parë të Legjislaturës së re, mazhoranca në Kuvend ka refuzuar një numër të konsiderueshëm të Komisioneve Hetimore, interpelancave, mocioneve me debat apo kërkesave për informacion.

“Qëndrimi politik i shumicës për të bllokuar çdo të drejtë kushtetuese të opozitës, refuzimi i çdo iniciative ligjore, përjashtimi i saj nga procesi i emërimeve në institucionet e pavarura, apo përjashtimi i saj nga procesi i integrimit, e bën rolin e deputetëve të opozitës në Parlament jo vetëm të papërfillshëm, por mbi të gjitha një fasadë të një normaliteti të rremë, që minon vetë parimet dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik. Kjo situatë vë seriozisht në pikëpyetje vetë qëllimin e vazhdimit të pranisë së opozitës në Parlament. Nëse opozita nuk mund të diskutojë çështje me interes publik, nuk mund të ushtrojë mbikëqyrje mbi qeverisjen, nuk mund të propozojë ligje apo amendamente në dobi të qytetarëve, dhe nëse të drejtat e saj kushtetuese shpërfillen, atëherë roli i saj bëhet thjesht formal, duke dështuar në përmbushjen e përgjegjësive demokratike.” -  thuhet ndër të tjera në Raportin e Grupit Parlamentar të PD.

Për më tepër, theksohet se “..ndonëse ne mbetemi të përkushtuar për të vepruar brenda kuadrit institucional demokratik, nuk do të pranojmë kurrë asgjësimin e parlamentarizmit apo mohimin e të drejtave tona kushtetuese. Një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por që shkel rregullat bazë të bashkëjetesës demokratike brenda Parlamentit — ku shumica dhe opozita kanë rolet dhe përgjegjësitë e tyre përkatëse — nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një propagandë e një normaliteti të rremë. Ne duam që Shqipëria të ecë drejt Bashkimit Evropian jo përmes propagandës boshe, por përmes standardeve të mirëfillta dhe institucioneve që funksionojnë në mënyrë demokratike, duke nisur nga institucioni që përbën thelbin e Republikës sonë – Kuvendi i Shqipërisë.”.

Raporti i Grupit Parlamentar të PD i është dërguar zyrtarisht edhe Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi.

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

 

lajm në përditësim...