Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese që të shqyrtojë sa më parë dhe të shfuqizojë ligjin për ‘Paketën e Maleve’.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka deklaruar se ligji për ‘Paketën e Maleve’ është antikushtetues, pasi sipas tij cenon interesat e shtetit dhe të drejtën e pronës private.

Bardhi gjithashtu kritikoi vendimmarrjen e vitit 2024 për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, duke e lidhur atë me pasojat e krijuara në territor dhe situatën e fundit në Zvërnec.

Sipas Bardhit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë pasoja afatgjata dhe nuk duhet t’u shërbejnë interesave politike të momentit.

Ai kërkoi një vendimmarrje të pavarur, të shpejtë dhe në përputhje me Kushtetutën, duke theksuar se interesi i shtetit dhe e drejta e pronës nuk mund të sakrifikohen për interesa politike.

Deklarata e kreut të Grupit të PD-së, Gazment Bardhi:

Ligji korruptiv “Për Paketën e Maleve” është antikushtetues, pasi cenon interesat e shtetit dhe të drejtën e pronës private. Ky ligj është kundërshtuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në Gjykatën Kushtetuese dhe ne presim që kjo Gjykatë të mbajë qëndrim sa më shpejt, në mbrojtje të Kushtetutës dhe të interesit publik.

Të gjithë jemi dëshmitarë të pasojave që ka krijuar vendimi i paqartë dhe thellësisht dëmshëm i Gjykatës Kushtetuese për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Pasojat e vendimmarrjeve të padrejta të Gjykatës Kushtetuese janë afatgjata dhe, në fund të fundit, i vuajnë qytetarët shqiptarë.

Si ndihen sot pesë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që, në vitin 2024, legjitimuan ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura, duke i hapur rrugë ndërtimeve? Si ndihen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Zvërnec, pas 94 ditësh protestë të mijëra qytetarëve shqiptarë, apo tani që Bashkimi Evropian kërkon anulimin e këtij ligji?

Këtë duhet të na e shpjegojnë ata.

A ndiejnë përgjegjësi t’u kërkojnë falje qytetarëve shqiptarë? Edhe këtë duhet të na e shpjegojnë ata.

Ajo që mund të them me siguri është se uroj dhe shpresoj që të njëjtin dëm ndaj interesit publik Gjykata Kushtetuese të mos e shkaktojë edhe me ligjin korruptiv “Për Paketën e Maleve”. Sepse ka çështje që shkojnë përtej interesit të momentit dhe përtej interesit politik të një Kryeministri.

Gjykata Kushtetuese ekziston për të mbrojtur Kushtetutën, shtetin dhe interesin publik në afatgjatë, jo për t’i shërbyer interesave afatshkurtra politike të një Kryeministri. Prandaj, sot më shumë se kurrë, kërkohet një vendimmarrje e pavarur, e shpejt, e drejtë dhe në përputhje me Kushtetutën. Çdo vendim tjetër do të rëndonte edhe më shumë mbi qytetarët dhe mbi besimin e tyre te institucionet e drejtësisë.

Interesi i shtetit dhe e drejta e pronës nuk mund të sakrifikohen për interesa politike të ditës.