Ish-shefi i shtabit të Përgjithshëm Bardhyl Kollçaku ka fituar gjyqin me presidentin Ilir Meta dhe ministrinë e Mbrojtjes lidhur me padinë që bëri për shkarkimin e tij nga detyra para kohe. Gazetari Arsen Rusta raporton se Gjykata Administrative i ka dhënë të drejtë Kollçakut për padinë dhe ka vendosur që atij t’i paguhet rroga por nuk ka pranuar që të rikthehet në detyrë.

Bardhyl Kollçaku u lirua nga detyra një muaj para se t’i mbaronte emërimi. Ai i la vendin Bajram Begajt në një ceremoni zyrtare më 30 qershor, ndërsa nga ajo ditë ai s'ka patur dalje publike apo koment, derisa u rikthye me një padi ndaj Presidentit dhe ministrisë së mbrojtjes.

Në padinë e tij Kollçaku kërkoi që dekreti i lirimit të tij nga detyra një muaj para se ti mbaronte mandati të shfuqizohet në mënyrë që ti ruhej statusi, t'i mundësohej pagesa dhe rikthimi në detyrë. Por kërkesa e fundit nuk është pranuar duke mos e rikthyer në detyrë.

Së pari ai kërkoi që të shfuqizohej dekreti i presidentit Meta që si ka dhënë atij gradën madhore Gjeneral Brigade. Së dyti kërkoi shfuqizimin e dekretit të presidentit që e ka nxjerrë atë në lirim. Përkatësisht “Shfuqizimin e Dekretit nr. 11571 date 29.7.2020 te Presidentit të Republikës së Shqipërisë, për lirimin e Gjeneral Brigade Bardhyl Myrteza Kollçaku nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe nxjerrjen në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura.

Më tej Kollçaku kërkoi që gradën madhore ta marrë nga gjykata pasi i është refuzuar nga institucionet.  Ndalur tek ana financiare ish numri një i forcave të armatosura kërkoi që atij ti paguhet paga si shef shtabi për një muaj nga 29 korriku deri më 29 gusht, ditë në të cilën i mbaronte mandati.

Kollçaku u bë shef shtabi gjatë periudhës kur ministër Mbrojtje ishte znj. Mimi Kodheli ndërsa la detyrën në periudhën e ministres Xhaçka të cilën tashmë e ka paditur edhe në gjykatë.